Kryeministri Albin Kurti e falënderoi presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për mbështetjen dhe vizitat e vazhdueshme në Kosovë, pas takimit në Qeveri.
Kurti tha se në rajonin tonë ka “autokraci elektorale”, shtoi se “Kosova është demokraci elektorale”.
“Ky përparim e ka bërë Kosovën edhe njërin prej vendeve më të sigurta në Evropë. Nëntë në dhjetë qytetarë tanë ndjehen të sigurtë të ecin vetëm natën. Dhe përmirësimi më i madh në siguri dhe në sundimin e ligjit ka ndodhur në veri të vendit tonë”, tha ai.
Kurti tha se ekonomia po “vazhdon të rritet”.
Kryeministri tha se Kosova do ta përmbushë “çdo reformë” në rrugën euro-atlantike.
“Ju siguroj se asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet prapa. Ajo që bllokada në Parlamentin tonë mund të lërë prapa janë fondet evropiane për këto reforma. Dhe kjo natyrisht që është për të ardhur keq”, tha ai.













