A ju ka ndodhur ndonjëherë të zgjidhni diçka me gëzim sepse patë një çmim të mirë në raft, por në momentin që kaloni te arka, fatura ju “godet” me një shifër më të lartë? Pikërisht kjo mospërputhje i ka kushtuar me dy gjoba të njëpasnjëshme gjigantit të veshmbathjeve “LC WAIKIKI RETAIL KOSOVO” SH.P.K. në Prizren dhe Ferizaj, pas denoncimeve të blerësve në Inspektoratin e Tregut.
Sipas dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), kompania është ndëshkuar dy herë brenda pak ditësh me nga 1,000 euro gjobë për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit:
Rasti i parë në Prizren (Vendimi i datës 03.04.2026): Pas një ankesë të konsumatorit, Inspektorati verifikoi se te produkti “Gjinse” çmimi në etiketë ishte 24.95 €, ndërsa në arkë u faturua me 26.95 € (2 euro më shtrenjtë). Për këtë shkelje, njësisë nr. 5 në Rrugën “Tirana” në Prizren i u shqiptua gjoba prej 1,000.00 €.


Rasti i dytë në Ferizaj (Vendimi i datës 16.04.2026): Më 15 prill, një tjetër konsumator denoncoi mospërputhjen për produktin “Atlete”, ku çmimi në raft ishte 16.95 €, ndërsa në arkë kaloi me 17.95 € (1 euro më shumë). Inspektorati nxjerr vendimin një ditë më pas, duke i shqiptuar njësisë në Rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj gjobën tjetër prej 1,000.00 €.


Në të dyja rastet, Inspektorati konstatoi shkelje të nenit 16 dhe 26 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke rikujtuar se tregtarët e kanë me obligim ligjor t’u garantojnë konsumatorëve çmimin e njëjtë me atë që është ekspozuar në rafte.
Lidhur me këto dy raste, Gazeta Insajderi ka kontaktuar kompaninë “LC Waikiki”, e cila në përgjigjen e saj zyrtare e ka arsyetuar situatën duke deklaruar se:
“Dy rastet të cilave u referoheni kanë të bëjnë me mospërputhje të izoluara të natyrës teknike dhe operative gjatë procesit të përditësimit dhe harmonizimit të çmimeve.”
Më tej, kompania ka potencuar vëllimin e madh të punës si faktor kryesor:
“Duke pasur parasysh rrjetin e gjerë të dyqaneve tona në Kosovë, numrin e konsiderueshëm të produkteve që tregtojmë dhe vëllimin e lartë të shitjeve që realizohen në baza ditore, këto dy raste përbëjnë ngjarje të izoluara dhe me efekt tepër të kufizuar në raport me veprimtarinë dhe vëllimin e përgjithshëm të shitjeve të kompanisë.”
Përfaqësuesit e brendit ndërkombëtar kanë nënvizuar se kanë procedura të rregullta kontrolli që përfshijnë verifikimin e çmimeve, koordinimin mes sistemeve të shitjes dhe etiketimit, si dhe udhëzimin e vazhdueshëm të personelit. Kompania shton se rastet e tilla “trajtohen me seriozitet dhe shërbejnë për përforcimin e mëtejshëm të kontrolleve të brendshme në të gjitha pikat tona të shitjes.”
Në përmbyllje, LC Waikiki ka deklaruar se ka politika të qarta për mbrojtjen e konsumatorit:
“Mbrojtja e interesave ekonomike të konsumatorëve mbetet prioritet i kompanisë. Në këtë drejtim, LC Waikiki ka politika të qarta për mbrojtjen e konsumatorit dhe mekanizma të brendshëm për trajtimin dhe korrigjimin e mospërputhjeve eventuale të çmimeve, duke përfshirë edhe kthimin e çdo diference të paguar si rezultat i një mospërputhjeje të tillë. Këto mekanizma synojnë të sigurojnë që konsumatorët të mos bartin pasoja financiare nga lëshimet eventuale të natyrës teknike apo operative”, kanë deklaruar nga kompania.















