Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur ekonomisten dhe akademiken Justina Shiroka Pulën presidente të re të vendit, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Zgjedhja e saj u bë në orët e vona të së martës, pas një seance maratonë, vetëm pak para përfundimit të afatit kushtetues, shkruan Washington Post.
Shiroka Pula mori 81 vota nga 120 deputetët e Kuvendit. Ajo ishte kandidate e propozuar në momentin e fundit dhe u mbështet nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas Washington Post, zgjedhja e saj shënon një moment të rëndësishëm në krizën politike që ka përfshirë Kosovën, me bllokadë institucionale dhe dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Pak para votimit për presidenten e re, Kuvendi miratoi edhe ligjin që synon të kufizojë kompetencat e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Votimi u zhvillua në një kohë kur jashtë Kuvendit ishin mbledhur mijëra protestues, të cilët kërkonin miratimin e këtij ligji.
Shiroka Pula ka shërbyer deri së fundmi si presidente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Me zgjedhjen e saj, ajo bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Në fjalimin e saj të parë pas betimit, Shiroka Pula tha se e pranon detyrën me “nder të madh dhe përgjegjësi të plotë”.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, ai u përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin kanë sakrifikuar shumë breza”, tha ajo.
Presidentja në Kosovë ka rol kryesisht ceremonial, por ushtron kompetenca të rëndësishme në politikën e jashtme dhe është komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Siç shkruan Washington Post, Shiroka Pula pritet ta dekretojë edhe ligjin e miratuar nga Kuvendi për Dhomat e Specializuara, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi.
Zgjedhja e saj erdhi pas më shumë se dy javësh protestash, të zhvilluara pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes tyre edhe ish-presidentit Hashim Thaçi.
Katër ish-udhëheqësit u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Kosova i ka kundërshtuar këto aktgjykime, duke argumentuar se lufta e UÇK-së ishte zhvilluar kundër forcave serbe dhe për çlirimin e vendit.















