
Avokati Durim Berisha ka bërë të ditur se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me një parashtresë lidhur me, siç pretendon ai, moszbatimin e aktgjykimit të kësaj gjykate në rastet KO256/26 dhe KO258/26, të datës 29 shtator 2026, (Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor), si dhe zgjedhjen e Presidentes jashtë afatit kushtetues.
Përmes një postimi, Berisha ka sqaruar se parashtresa e tij nuk paraqet kërkesë për nisjen e një procedure të re për vlerësimin e kushtetutshmërisë, por synon që Gjykata Kushtetuese të ndërmarrë veprime në kuadër të rolit të saj si gardiane e Kushtetutës.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mund të nxjerrë, sipas detyrës zyrtare, një aktvendim përmes të cilit do të konstatonte nëse aktgjykimi i saj nuk është zbatuar.
Në pjesën tjetër të reagimit, avokati ka kritikuar klasën politike dhe gjendjen aktuale në vend. Ai ka thënë se qytetarët janë lodhur nga papërgjegjësia, kaosi dhe pasiguria, duke paralajmëruar se një situatë e tillë mund të krijojë terren për, siç e përshkruan ai, “diktaturën apo anarkinë”.
Postimi i plotë:
Sot i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me një parashtresë për mospërmbarimin e Aktgjykimit të saj në rastet nr. KO256/26 dhe KO258/26, të datës 29.09.2026. Kjo nuk është kërkesë për inicimin e ndonjë procedure të re për vlerësimin e kushtetutshmërisë, por një parashtresë përmes së cilës kërkohet nga Gjykata Kushtetuese që të përmbushë rolin dhe funksionin e saj si gardian i Kushtetutës në Republikën e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, sipas detyrës zyrtare, mund të nxjerrë një aktvendim në të cilin konstaton se aktgjykimi i saj nuk është zbatuar.
Le të mbetet në ndërgjegjen e gjyqtarëve se si do të veprojnë. Si qytetarë të rëndomtë të këtij vendi, ky është i vetmi mjet juridik që mund të shfrytëzojmë për mbrojtjen e rendit kushtetues.
Një klasë politike që e ka lodhur popullin aq shumë dhe e ka vënë në një gjendje mbijetese, frike dhe paniku, sot e ka terrenin më të përshtatshëm për të jetësuar diktaturën apo anarkinë. Qytetari i Kosovës është lodhur nga gjendja e papërgjegjshmërisë, kaosit dhe pasigurisë kolektive. Prandaj, e vetmja gjë për të cilën shpreson është që të mbyllet një dramë, jo për të filluar të jetojë, por për të përjetuar dramën e radhës, të cilën truri i tij po e pret dhe po e kërkon me padurim.