Sipas njoftimit të Trepçës, avaria ka ndodhur dje, rreth orës 19:30, në Trafon Tuneli, përkatësisht në sistemin 35 kV, si pasojë e së cilës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për minierën dhe Njësinë e Flotacionit.
Në momentin e avarisë, në minierë ndodheshin 63 minatorë, të cilët ishin në ndërrimin e dytë dhe planifikonin ta përfundonin punën në orën 23:00.
Trepça njofton se 54 minatorë kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Furnizimi me energji elektrike është rikthyer në orën 02:30, ndërsa nëntë minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50.
Sipas Trepçës, pas rikthimit të energjisë elektrike, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë.
Ndërkohë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.
“Procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë, pasi këto pjesë nuk disponohen aktualisht në stok. Pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit. Ne mbesim të angazhuar me të gjitha mundësistë tona dhe pa kursyer asgjë nga ajo që dimë e mundemi, për ta kthyer situatën në normalitet. Për zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e sanimit të avarisë do të njoftoheni me kohë”, thotë ndërrmarja.














