Bashkimi Europian ka publikuar qëndrimin zyrtar të Brukselit lidhur me miratimin në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Deklarata e zëdhënësit Christian Wiegand u publikua sot në Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm të BE-së, ku thuhet se “ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”.
“BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion gjyqësor i pavarur, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe që është i sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Aty thuhet se “mandati dhe pavarësia” e Gjykatës dhe Prokurorisë së Specializuar “duhet të respektohen plotësisht”.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në deklaratën e Wiegand.
BE i bën thirrje Kosovës që “t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare”.
“I bëjmë thirrje Kosovës t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe angazhimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve duhet të garantohen”, thuhet në deklaratën e publikuar.














