Një AK-47, 119 fishekë dhe pajisje ushtarake janë gjetur në një shtëpi të pabanuar në Dren të Leposaviqit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar se rasti është duke u hetuar.
“Jemi në proces të identifikimit të pronarit në vendin ku janë gjetur armët dhe pastaj do të merren veprimet e tjera konform ligjit”, ka thënë Preteni.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 7 tetor, rreth orës 16:30, pas pranimit të një informate, ndërkohë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur procedurat për identifikimin e pronarit të vendit.
Njësitet policore kanë kontrolluar një shtëpi të pabanuar, ku kanë gjetur dhe konfiskuar një AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 119 fishekë të kalibrit 7.62×39 milimetra, pantallona ushtarake, një kapelë dhe një termos ushtarak.
Ndërkohë, më 30 shtator, po në fshatin Dren të Leposaviqit, policia kishte gjetur dhe sekuestruar në një stallë një armë përsëritëse M-56, një pistoletë CZ-99, një pistoletë CZ Mod-70, 99 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 10 fishekë të kalibrit 7.65 mm.
Në lidhje me rastin e 30 shtatorit, një 55-vjeçar me inicialet S.V., i cili ishte ndaluar nga policia, pas intervistimit ishte liruar në procedurë të rregullt.
Armë dhe municion ishin gjetur edhe gjatë një bastisjeje në Shipovë të Zubin Potokut, ndërsa në atë rast nuk kishte persona të arrestuar.














