Ushtarët shumëkombësh të Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë zhvilluar një seri marshimesh malore në terrene të vështira në Kosovë, përfshirë zonat përreth kampit “Villaggio Italia”.
Sipas njoftimit, aktiviteti stërvitor kishte për qëllim rritjen e qëndrueshmërisë fizike dhe aftësive të lëvizjes në terrene malore, si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe kohezionit ndërmjet pjesëtarëve shumëkombësh të RC-W.
KFOR-i vlerëson se stërvitjet e rregullta në terrene komplekse janë të rëndësishme për ruajtjen e aftësive profesionale, gatishmërisë dhe vetëdijes situative të personelit, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë efektive në të gjithë territorin e Kosovës.
Misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës.
Në përmbushjen e këtij mandati, KFOR-i vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili sipas përgjegjësive të veta./IndeksOnline/














