Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga Serbia dorëzimin e Milan Radoiçiqit pas publikimit të pamjeve në mediat serbe ku Radoiçiq shfaqet përkrah djalit të Aleksandar Vuçiqit në një tubim elektoral në Kragujevc.
Sipas Haxhiut, prania e organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë në ngjarje të tilla dëshmon se ai jo vetëm që gjen strehë në Serbi, por edhe pritet e nderohet nga rrethet e afërta të pushtetit.
“Prania e tij në rrethet e afërta me pushtetin ngre pyetje të drejtpërdrejta për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe, të cilat duhet t’i japin fund mbrojtjes së tij dhe ta dorëzojnë në Kosovë, ku duhet të përgjigjet për sulmin që organizoi.“, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu i bëri thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare për reagim të qartë dhe trysni me pasoja konkrete ndaj Serbisë për mosdorëzimin e Radoiçiqit, duke theksuar se tolerimi i mëtejshëm dërgon mesazh të rrezikshëm se terrorizmi mund të mbetet i pandëshkuar.
Ajo nënvizoi se drejtësia për rreshterin e ndjerë Afrim Bunjaku mbetet detyrim i patjetërsueshëm dhe se vendi i përgjegjësve është para gjykatave të Republikës së Kosovës.
“Për Kosovën, drejtësia për Afrim Bunjakun dhe vënia para përgjegjësisë e organizatorëve të sulmit në Banjskë mbeten detyrim i patjetërsueshëm. Vendi i tyre është para gjykatave të Republikës së Kosovës. As koha e as afërsia me pushtetin në Beograd nuk do t’i amnistojnë ata që e përgatitën dhe e kryen sulmin.”, ka përfunduar Haxhiu.















