Një situatë e pazakontë është raportuar në fund të emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku moderatori ka paralajmëruar se disa persona po i prisnin “te reforma”.
Në kohën kur po zhvillohej emisioni i mbrëmjes, ku po merrnin pjesë edhe gazetari Lirim Mehmetaj dhe deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, moderatori ka njoftuar se po qarkullonin video të personave që po i prisnin jashtë.
“Na kanë dalë te reforma do. Po na qarkullojne video qe jane duke na prit te reforma”, ka thënë moderatori në fund të emisionit.
Siç mëson Nacionale nga burime, bëhet fjalë për Gani Gecin, i cili ka qëndruar afër televizionit RTV Dukagjini.
Ngjarja vjen vetëm disa orë pas një mospajtimi që u bë i ditur mes Gani Gecit dhe gazetarit Lirim Mehmetaj.
Mospajtimi kishte nisur pas një postimi të gazetarit Mehmetaj për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, i cili kishte bërë deklarata të rënda për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e UÇK-së.
Në këtë përplasje ishte përfshirë edhe Gani Geci, i cili gjatë ditës së hënë pretendoi për një marrëveshje pajtimi mes familjes së tij dhe asaj të gazetarit Mehmetaj.
Përmes një postimi në Facebook, Geci pretendoi se, me ndërmjetësimin e deputetit Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonajt, ishte zhvilluar një takim në restorantin “Garden”.
Geci kishte njoftuar se familjet ishin pajtuar dhe kishin marrë zotim që të mos merreshin më me njëra-tjetrën, “as përmes shkrimeve dhe as në televizione”.
Pas njoftimit për pajtim, gazetari Mehmetaj kishte reaguar në Facebook, duke bërë të qartë se nuk kishte ndërmend ta largonte postimin e tij për deputetin Fatos Geci.














