Gazetari Lirim Mehmetaj ka dhënë hollësi të reja për incidentin me familjen Geci, duke deklaruar se persona nga kjo familje i kanë kërkuar ta largojë ose ta ndryshojë një postim për deputetin Fatos Geci dhe se, pas refuzimit të tij, kanë pasuar kërcënimet.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Mehmetaj ka treguar se personat në fjalë kishin shkuar edhe në zyrën e tij, ndërsa ai më pas e kishte paraqitur rastin në Polici.
“E kam bërë atë postim. Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo. Kanë thënë me u taku. Kam thënë okej. Më kanë thënë me heq postimin, iu kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj.
Sipas tij, pasi nuk kishte pranuar ta largonte postimin, personat që kishin shkuar në zyrë i kishin kërkuar t’ia ndryshonte përmbajtjen.
“Njëherë kanë qenë ma komunikativë, kam thënë jo, nuk hiqet. Më kanë thënë ani, me ia ndërru përmbajtjen, kam thënë jo. Edhe i kam largu prej zyrës”, ka treguar ai.
Mehmetaj tha se, pas refuzimit të tij, kishte pasur edhe kërcënime.
“Kur ju kam thënë unë që nuk e heqi, kanë kërcënu ata me demek, nëse s’e heq kështu…”, ka deklaruar gazetari.
Ai ka treguar se kishte vendosur të ndiqte rrugët institucionale, duke e njoftuar Policinë për rastin.














