Kosova ka adresuar kërkesën te Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të diskutuar blerjen e helikopterëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa prioritet në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë edhe mbrojtja ajrore.
Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka folur edhe për kërcënimet që, sipas tij, paraqet Serbia për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.
Maqedonci tha se kërkesa për helikopterë është adresuar nga komandanti i FSK-së dhe se procedurat për blerjen e tyre zhvillohen përmes programit amerikan FMS, ku përfshihet Departamenti Amerikan i Luftës.
“Kemi prokuruar normalisht edhe dronët, pra fluturaket pa pilot që kemi tri lloje aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore, pra mbrojtja nga sulmet eventuale ajrore, mbrojtja e hapësirës ajrore të Kosovës, dhe për këtë çështje jemi duke koordinuar dhe bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë. Edhe mbështetja ajrore, që nënkupton edhe kjo pjesa e helikopterëve, për të cilën tashmë komandanti i FSK-së ka adresuar kërkesën për SHBA-në, për të diskutuar këtë çështje, sepse kjo blerje bëhet duke aplikuar programin FMS, që nënkupton ne dërgojmë kërkesën në Departamentin e Luftës, të gjitha procedurat e negocimit, prokurimit, edhe procedurat e tjera për blerje zhvillohen nga Departamenti Amerikan i Luftës”, tha Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes foli edhe për armatimin e blerë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se FSK-ja ka shtuar llojet e sistemeve të armatimit dhe se po synohet zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve ushtarake.
“Ne kemi bërë blerje të llojllojshme, pra gjatë këtyre fazave, sidomos gjatë tre-katër viteve të fundit, kemi bërë prokurimet e sistemeve shumë të rëndësishme të armatimit. Dihet që një pjesë edhe janë bërë publike, një pjesë janë parë edhe gjatë ushtrimeve, një pjesë i kemi theksuar edhe në publikimet tona. I kemi aktualisht katër lloje të sistemeve antitank, lloje të mortajave të ndryshme, për çitje në distancë të ndryshme, lloje të automjeteve të ndryshme, kemi prokuruar edhe sisteme të artilerisë mobile”, tha ai.
Maqedonci bëri të ditur se Kosova po punon edhe në zhvillimin e njësive të reja dhe në përshtatjen e kapaciteteve mbrojtëse me situatën aktuale të sigurisë.
















