Lionel Messi vazhdon të dëshmojë se mosha është vetëm një numër, duke dhuruar një tjetër paraqitje spektakolare në kampionatin amerikan të futbollit.
Inter Miami ka shënuar fitore me rezultat 3-1 në udhëtim ndaj Atlanta Unitedit, në kuadër të MLS-it, me yllin argjentinas që ishte figura kryesore e kësaj përballjeje.
Skuadra mysafire kaloi në epërsi në minutën e 45-të, kur Germán Berterame realizoi me kokë pas asistimit të Luis Suárezit, ndërsa Messi kontribuoi gjithashtu në aksionin e golit.
Megjithatë, spektakli i vërtetë i kapitenit të Inter Miamit erdhi në pjesën e dytë.
Në minutën e 56-të, Messi depërtoi drejt zonës kundërshtare, kombinoi bukur me Berteramen dhe e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë me të majtën.
Vetëm katër minuta më vonë, 39-vjeçari goditi sërish. Këtë herë, pas një pasimi të shkëlqyer nga Suárez, argjentinasi përshpejtoi drejt portës, kaloi mbrojtësin kundërshtar dhe realizoi me qetësi për rezultatin 3-0.
Atlanta United arriti ta ngushtojë epërsinë në minutën e 89-të, me Fafà Picault që shënoi nga penalltia, por vendasit nuk arritën ta shmangnin humbjen.
Me këtë dygolësh, Messi e çoi në 25 numrin e golave në kampionatin amerikan për këtë sezon, duke e forcuar pozitën e tij në garën për Këpucën e Artë të MLS-it.
Për Inter Miamin, kjo ishte fitorja e tretë radhazi në kampionat, ndërsa Messi edhe një herë tregoi se mbetet vendimtar dhe i aftë ta ndryshojë rrjedhën e një ndeshjeje me magjinë e tij.

















