Mbrëmë, Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas kosovarë, të dyshuar për kontrabandim të barnave, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Vlera e ilaçeve dhe produkteve tjera të kapura dyshohet se arrin deri në 150 mijë euro.
Ndërkohë, Insajderi ka mësuar identitetin e njërit prej personave të arrestuar, duke raportuar se bëhet fjalë për Ardin Bytyqin nga rajoni i Prizrenit.
Ky rast u konfirmua edhe ne raportin policor 24 orësh, ku thuhet: “Fushë Kosovë 17.10.2026 – 22:40. Njësitë e Sektorit të Hetimeve të Policisë Kufitare, gjatë trajtimit të informatave lidhur me dyshimet për kontrabandë me mallra, kanë ndaluar për kontrollim një automjet transportues (kombi) me targa vendore në të cilën ndodheshin dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash të kategorive të ndryshme përfshirë: barna, produkte higjienike, bizhuteri, veshmbathjeve, pajisjeve teknologjike, kompjuter, llap-top dhe telefona celularë. Të dyshuarit gjatë intervistimit kanë deklaruar se mallrat i kishin sjellë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka prezantuar dokumentacion përkatës që dëshmonte importin e ligjshëm të mallrave. Në cilësi të provës materiale përveç mallrave të gjetura është sekuestruar edhe automjeti transportues. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje”.
















