Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të çmimit më prestigjioz individual në futboll, janë bërë të ditur emrat e kandidatëve për trofeun e ri të veçantë “Ballon d’Or Of All Time” (B.O.A.T), ku tifozët do të kenë mundësi të zgjedhin vitin më të mirë individual në historinë e Topit të Artë.
Që nga ndarja e parë në vitin 1956, Topi i Artë ka nderuar figurat më të shquara të futbollit botëror.
Për këtë përvjetor jubilar, organizatorët kanë përfshirë në garë vetëm ata futbollistë legjendarë që e kanë fituar këtë trofe më shumë se një herë gjatë karrierës së tyre.
Pjesë e garës janë edhe emra të pavdekshëm të futbollit evropian e botëror si Johan Cruyff, Michel Platini, Marco van Basten, e deri te Ronaldo Nazario dhe Franz Beckenbauer.
Lista e plotë e kandidatëve dhe viteve të nominuara:
- Lionel Messi: 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019, 2021, 2023
- Cristiano Ronaldo: 2008, 2013, 2014, 2016, 2017
- Johan Cruyff: 1971, 1973, 1974
- Michel Platini: 1983, 1984, 1985
- Marco van Basten: 1988, 1989, 1992
- Ronaldo Nazario: 1997, 2002
- Franz Beckenbauer: 1972, 1976
- Alfredo Di Stefano: 1957, 1959
- Karl-Heinz Rummenigge: 1980, 1981
- Kevin Keegan: 1978, 1979
Si bëhet votimi dhe kur shpallen rezultatet?
Të gjithë adhuruesit e futbollit do të kenë mundësi të votojnë për edicionin dhe lojtarin e tyre të preferuar deri më 27 tetor në mesnatë, ku secila votë kushton një euro.
Fituesi i çmimit historik B.O.A.T pritet të shpallet zyrtarisht më 28 tetor, ndërsa ceremonia kryesore madhështore e ndarjes së çmimeve do të organizohet më 26 tetor në sallën e njohur “London Palladium” në Londër.
















