Prokurorët specialë në Kosovë do të mund të kërkojnë drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit numrin për regjistrimin e lëndëve për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare, pa pasur nevojë për autorizim paraprak nga Kryeprokurori.
Ky ndryshim është bërë përmes plotësimit të Udhëzuesit për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit në Prokurorinë Speciale.
Sipas njoftimit të kësaj prokurorie, vendimi synon të lehtësojë procedurat administrative dhe t’u mundësojë prokurorëve specialë të nisin hetimet në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, pa pengesa të panevojshme procedurale.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ndryshimi është në përputhje me kompetencat dhe pavarësinë funksionale të prokurorëve për të iniciuar hetime sipas detyrës zyrtare.
Institucioni ka deklaruar se mbetet i përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në hetimin e veprave të tjera penale që hyjnë në kompetencën e tij.
















