Të paktën 2 mijë e 400 persona janë arrestuar pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë. Gjatë trazirave, protestuesit dogjën automjete, sulmuan ndërtesa publike dhe grabitën biznese në Paris, Lion, Marsejë dhe qytete të tjera.
Në kryeqytet, shtetrrethimi ishte në fuqi nga ora 23:00 e së hënës deri në orën 06:00 të së martës. Gjatë natës, një helikopter policie patrulloi mbi sheshin Place de la République, punonjësit bashkiakë pastruan mbishkrimet në monumentet e dëmtuara dhe hoqën simbolin gjigant të jelekut të verdhë nga sheshi Place de la République.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, deklaroi se vendosja e orës policore ka qene efektive dhe sipas tij, “Objektivi është mjaft i thjeshtë: një kthim i menjëhershëm i rendit”.
Kryeministri Lecornu akuzoi grupet radikale ultra të majta për hartimin e një “plani kryengritjeje” që çoi në trazira të dhunshme gjatë fundjavës.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, njoftoi se Franca do të dërgojë disa forca ushtarake për të përforcuar policinë gjatë protestave të planifikuara të shtunën e ardhshme.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, bëri të ditur se nga rreth 2,500 personat e arrestuar që prej së shtunës, 149 persona janë burgosur në të gjithë vendin, ndërsa më shumë se 800 të arrestuar janë paraqitur përpara prokurorëve. Ministri i Drejtësisë premtoi se protestuesit do të përballen me ndëshkime jashtëzakonisht të ashpra.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ndaj situatës në Francë, duke kërkuar masa të forta për rivendosjen e rendit dhe sigurisë.
Ai e përshkroi Francën si një komb dikur të madh që ishte “pushtuar, plaçkitur dhe djegur deri në themel nga emigrantët, xhihadistët dhe komunistët”.
Trump u ka bërë thirrje autoriteteve franceze të marrin situatën nën kontroll dhe ka kërkuar mbylljen e kufijve.
Por trazirat nuk janë kufizuar vetëm në Francë. Incidente të rënda janë raportuar edhe në Itali, veçanërisht në Milano, ku përplasjet mes të rinjve dhe policisë kanë shkaktuar dëme materiale dhe kanë lënë efektivë të plagosur.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Antonio Tajani, njoftoi se vendosja e 500 trupave me kompetenca policore në Milano do të jetë ndër masat që kabineti i kryeministres, Giorgia Meloni, do të miratojë të martën në përgjigje të trazirave të fundjavës së kaluar nga të rinjtë në qytet.
Trazirat filluan të shtunën në prag të një demonstrate mbi krizën e kostos së jetesës dhe vazhduan të dielën, me grupe të rinjsh që sulmuan dyqanet dhe supermarketet, duke thyer dritaret dhe duke kryer sulme grabitëse përpara se të shpërndaheshin shpejt.
















