Gazeta Online Veriu.info kishte raportuar në korrik të këtij viti për arrestimin e një grupi personash të cilët dyshoheshin për një skemë kriminale, ku kompani importuese nga Shqipëria dyshohet se kanë importuar ujë në vend të derivateve të naftës, duke përdorur kompani fiktive dhe kompani aktive në Kosovë për të realizuar skemën dhe për të fshehur gjurmët e transaksioneve.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dje ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave: Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Korab Visoka, Fatmir Visoka, Dashnim Miftari, Nisret Bajraktari, Skender Kelmendi, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina, Gazmen Quni dhe Sasivar Mazerek, lidhur me dallavere me transportimin e naftës nga Durrësi për Kosovë.
Gazeta Online Veriu.info ka siguruar aktakuzën e plotë lidhur me këtë rast.
Sipas aktakuzës i pandehuri Muhamet Mazrek ka pasur rolin e tij në menaxhimin dhe organizimin e transportimit të derivateve të naftës në periudhën kohore janar 2021 – dhjetor 2025, duke qenë në dijeni të plotë që mjetet transportuese bartin ujë në vend të derivateve, duke vepruar në atë mënyrë që ka dërguar mjetet transportuese/autobotat për modifikim në një punëtori pa mbishkrim në komunën e Hanit të Elezit në të cilën kryhej ndërhyrja postfabrikore nga i pandehuri, Gazmen Quni, saldues.
I njëjti, pra Muhamet Mazrek, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale ka mbajtur kontakte me persona të ndryshëm në Shqipëri dhe pranuar para në dorë (cash) në Shqipëri në emër të të pandehurit Faruk Mazrek në shkurt 2022 duke qenë punonjës i “Po Petrol Fariz”.
Mazrek i ka dhënë këtij biznesi 100 mijë euro para të gatshme si “hua” pa interes, të cilat i janë kthyer 25 shkurt 2022 nga kredia bankare e i distribuar po atë ditë dhe janë tërhequr menjëherë në para të gatshme.
I njëjti sipas dosjes së Prokurorisë ka pasur edhe rolin e vozitësit në transportimin e derivateve të naftës që janë deklaruar në Doganën e Kosovës ku u konstatuan ndërhyrjet postfabrikore.
Ai ka mbikqyrur lokacionin në Vorë/Qarku Tiranë vendi ku ndërrohen mjetet transportuese/autobotat dhe merreshin autobotat që kishin një pjesë ujë dhe një pjesë derivat e që deklarohen të tëra si importe të naftës në Doganën e Kosovës.

















