Ekspertja e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Agnesa Ibrahimi, ka rekomanduar që të aprovohet ankesa e kompanisë “2A Group SH.P.K.” kundër Komunës së Fushë Kosovës të drejtuar nga Valon Prebreza i Vetëndosjes për tenderin me vlerë të parashikuar prej 415,158.39 eurosh, që ka të bëjë me ndërtimin e rrugëve bujqësore me zhavor dhe kanaleve për largimin e ujërave atmosferike, shkruan rajoni.org.
Në raportin e dorëzuar më 16 tetor 2026, ekspertja ka vlerësuar se një pjesë e kërkesave të komunës për makineri janë të tepërta dhe nuk janë arsyetuar me nevojat e projektit. Sipas saj, kërkimi i shumë pajisjeve që kryejnë punë të ngjashme mund të kufizojë konkurrencën dhe t’ua vështirësojë kompanive pjesëmarrjen në tender.
– Advertisement –
Ankesa e “2A Group SH.P.K.” lidhet me kushtet teknike të vendosura në dosjen e tenderit. Kompania ka kundërshtuar kërkesat për disa lloje makinerish, ndërsa ekspertja, pas shqyrtimit të pretendimeve, i ka vlerësuar ato si të qëndrueshme.
Sipas raportit, projekti parasheh ndërtimin e rreth tetë kilometrave rrugë bujqësore, me gjerësi prej katër metrash, dhe ka afat realizimi prej 12 muajsh. Ekspertja vlerëson se komuna duhet të kërkojë makineritë që janë të nevojshme për këto punime, pa vendosur kushte të panevojshme që mund të përjashtojnë kompani të tjera.
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, ekspert teknik/shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, AK të bëjë përmirësimet në dosje të tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim” thuhet në rekomandimit e ekspertes.
Por cilat janë gjetjet e ekspertës
Dy ngarkues me lopatë dhe pirun
Komuna ka kërkuar dy ngarkues me rrota, secili me lopatë dhe pirun, me kapacitet minimal prej katër tonësh. Sipas komunës, këto pajisje nevojiten për ngarkimin dhe shpërndarjen e zhavorrit dhe për punë në pjesë të ndryshme të projektit.
Por ekspertja vlerëson se nuk është dëshmuar nevoja që të dy makineritë të kenë patjetër edhe pirun, pasi projekti nuk parasheh punë që kërkojnë domosdoshmërisht këtë pajisje. Ajo thekson se punimet mund të kryhen me makineri standarde dhe rekomandon rishikimin e këtij kushti.
Ngarkues që shërben edhe si përzierës betoni
Një tjetër kërkesë e komunës është një makineri që shërben si ngarkues, përzierës betoni dhe pajisje me pirun, me peshë maksimale prej katër tonësh.
Komuna ka arsyetuar se kjo pajisje do të përdorej për punët rreth gypave dhe për përgatitjen e betonit. Megjithatë, sipas raportit, për tërë projektin nevojiten vetëm 16 metra kub beton.
Ekspertja vlerëson se kjo sasi mund të përgatitet dhe të transportohet me pajisje të zakonshme, pa kërkuar një makineri të vetme me kaq shumë funksione. Ajo rekomandon që komuna të kërkojë mundësinë për përgatitjen dhe transportimin e betonit, e jo një pajisje të veçantë që mund të kufizojë konkurrencën.
Ekskavator me peshë maksimale prej një toni
Komuna ka kërkuar edhe një ekskavator me peshë maksimale prej një toni, për punë në kanale dhe në hapësira të ngushta.
Ekspertja vlerëson se ky kufizim është tepër i ngushtë, pasi ekzistojnë edhe mini-ekskavatorë me peshë nga 1.5 deri në 3.5 tonë që mund t’i kryejnë të njëjtat punë.
Sipas raportit, komuna nuk ka paraqitur dëshmi se një makineri me peshë 1.5 tonësh do ta dëmtonte terrenin. Për këtë arsye, ekspertja rekomandon që të lejohen mini-ekskavatorët kompaktë deri në 3.5 tonë.
Ekskavator me goma dhe shumë pajisje shtesë
Në dosjen e tenderit kërkohet edhe një ekskavator me goma, me peshë minimale prej 20 tonësh, i pajisur me tri luga, kamerë të pasme, stabilizues dhe pajisje të tjera për punë.
Komuna ka thënë se kjo makineri nevojitet për gërmimin e kanaleve dhe rrafshimin e terrenit. Por ekspertja vlerëson se nuk është dëshmuar se të gjitha pajisjet shtesë janë të domosdoshme për hapjen e kanaleve sipërfaqësore.
Sipas saj, kërkesa për kaq shumë pajisje të veçanta mund t’i përjashtojë kompanitë që kanë ekskavatorë të përshtatshëm, por jo të gjitha pajisjet e kërkuara. Ajo rekomandon që komuna t’i përshtatë kushtet me nevojat reale të projektit.
Kamion kiper me vinç, me peshë minimale prej 26 tonësh
Komuna ka kërkuar një kamion kiper me vinç, me peshë të përgjithshme minimale prej 26 tonësh, për transportimin dhe vendosjen e gypave të betonit.
Në raport thuhet se projekti parasheh vendosjen e vetëm 150 metrave gypa betoni me diametër 400 milimetra. Ekspertja vlerëson se për këto punime nuk është dëshmuar nevoja për një kamion kaq të rëndë, të pajisur njëkohësisht me vinç.
Sipas saj, gypat mund të transportohen dhe të vendosen edhe me ekskavatorët e kërkuar në tender ose me mjete të tjera të përshtatshme. Për këtë arsye, ajo rekomandon që komuna të mos e kufizojë mënyrën se si kompania do ta kryejë këtë punë.
Dy koka tërheqëse dhe dy gjysmërimorkio të rënda
Një tjetër kërkesë përfshin dy koka tërheqëse me kapacitet minimal prej 18 tonësh dhe dy gjysmërimorkio me kapacitet minimal prej 38 tonësh.
Komuna ka arsyetuar se këto mjete nevojiten për transportimin e materialeve dhe makinerive, si dhe për të shmangur ndërprerjet gjatë punimeve.
Por ekspertja vlerëson se këto mjete nuk kryejnë drejtpërdrejt punime.
Pesë lloje pajisjesh për ngjeshjen e zhavorrit
Komuna ka kërkuar disa lloje pajisjesh për ngjeshjen e zhavorrit, përfshirë rulë të vegjël, rul me telekomandë, rul të rëndë dhe pajisje që montohen në ekskavatorë.
Sipas komunës, pajisjet e vogla nevojiten për punët rreth gypave dhe në kanale, ndërsa ato të mëdha për ngjeshjen e shtresave të rrugës.
Ekspertja vlerëson se kërkimi i të gjitha këtyre pajisjeve njëkohësisht është i tepruar, pasi e njëjta punë mund të kryhet me kombinime të përshtatshme të makinerive standarde. Ajo rekomandon largimin e disa kërkesave të përsëritura dhe lejimin e pajisjeve të tjera që kryejnë të njëjtin funksion.
Dy pajisje për nivelizimin e rrugës
Në tender janë kërkuar edhe një pajisje e vogël për nivelizim, që montohet në ekskavator, dhe një greder rrugor me peshë minimale prej 10 tonësh.
Komuna ka arsyetuar se pajisja e vogël do të përdorej në skaje dhe kanale, ndërsa grederi për rrafshimin kryesor të rrugës.
Ekspertja vlerëson se nuk është dëshmuar nevoja për të dyja pajisjet, pasi rrafshimi i pjesëve të vogla mund të kryhet edhe me pajisjet e tjera të ekskavatorit. Ajo rekomandon që kjo kërkesë shtesë të hiqet dhe të lejohet përdorimi i makinerive të tjera të përshtatshme.
Tri kategori të damperëve
Komuna ka kërkuar tri lloje damperësh: një me kapacitet 500 kilogramë, një me kapacitet tre tonë dhe një me kapacitet minimal prej pesë tonësh.
Sipas komunës, këto mjete nevojiten për transportimin e materialeve në hapësira të ngushta dhe në terrene të ndryshme.
Megjithatë, ekspertja vlerëson se kërkesa për të tri kategoritë është e tepruar, pasi funksionet e tyre mund të kryhen edhe nga kamionët kiper dhe makineritë e tjera të kërkuara në tender. Ajo rekomandon që komuna të mos kërkojë posedimin e të gjitha këtyre pajisjeve pa dëshmuar se janë të domosdoshme.
Gjysmërimorkio për bartjen e makinerive, me kapacitet 48 tonë
Në listën e pajisjeve është përfshirë edhe një gjysmërimorkio për bartjen e makinerive, me kapacitet minimal prej 48 tonësh.
Komuna ka arsyetuar se mjeti nevojitet për transportimin e sigurt të makinerive ndërmjet lokacioneve të ndryshme.
Ekspertja, megjithatë, vlerëson se kjo kërkesë është tepër e lartë për nevojat e projektit. Sipas raportit, makineria më e rëndë e kërkuar në tender ka peshë minimale prej 25 tonësh, ndërsa nuk është paraqitur arsyetim i mjaftueshëm për kërkimin e një gjysmërimorkioje me kapacitet 48 tonë.
Ajo rekomandon që ky pozicion të largohet nga lista e pajisjeve të detyrueshme dhe që transporti i makinerive të organizohet nga kompania fituese sipas nevojave të punimeve.
Automjet special për pastrimin e rrugëve
Kërkesa e fundit e kundërshtuar nga kompania lidhet me një automjet special për pastrimin e rrugëve, me peshë maksimale prej 3.5 tonësh.
Komuna ka thënë se ky mjet nevojitet për pastrimin e rrugëve lidhëse dhe segmenteve të ndryshme, përfshirë ato me qasje më të vështirë.
Ekspertja vlerëson se pastrimi mund të kryhet edhe me fshesa të montuara në traktorë, automjete standarde për pastrim ose me ujë, varësisht nga nevoja. Për këtë arsye, ajo rekomandon që komuna të kërkojë rezultatin që duhet të arrihet, pra pastrimin e rrugëve, dhe jo domosdoshmërisht një automjet të caktuar.
















