Faton Peci, Kryetar i Mitrovicës, i ka thurur lavde vetes dhe shefit të tij, Albin Kurti, por në përpjekje për të treguar se sa mirë e kanë qeverisur Kosovën, ka dështuar ta shkruajë saktë pozitën që vetë e ka mbajtur.
Në një postim në Facebook, Peci ka kujtuar kohën kur ishte Ministër i Bujqësisë dhe Kurti Kryeministër, duke e paraqitur qeverisjen e tyre si shembull suksesi. Por, teksa lartësonte veten dhe shefin, dy pozitat që kanë përfaqësuar nuk arriti t’i shkruante pa gabime.
Fjalën “ministër” e shkroi “minstër”, ndërsa “kryeministër” e shndërroi në “kryeminsitër”. Pra, në postimin ku përpiqej të tregonte se sa mirë e kishin kryer punën, Peci nuk arriti t’i shkruante si duhet as dy fjalë.
Postimi i tij erdhi pasi deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, në seancën e së enjtes, ia përmendi aferat korruptive. Peci reagoi duke pretenduar se ndaj tij po zhvillohet një fushatë linçuese, ndërsa shfrytëzoi rastin për t’i thurur lavde qeverisjes së Kurtit dhe punës së tij në krye të Bujqësisë.
“Vazhdon fushata linçuese ndaj meje edhe sot në Kuvendin e Kosovës. Kosova e ka përjetu çka do të thotë ta kesh Albin Kurtin kryeminsitër në veri e Faton Pecin minstër në Bujqësi”, shkroi ai.
Nëse synimi ishte të dëshmonte se sa shumë kishte lënë gjurmë në qeverisje, Peci la edhe disa të tjera në drejtshkrim.
Por, me kaq nuk mbaroi. Peci vazhdoi sulmet ndaj Aleancës dhe ish-kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, duke e akuzuar këtë parti për “uzurpim” e “zhvatje”.
“Kosova e ka përjetu deri në palcë edhe uzurpimin dhe zhvatjen për 18 vite në Ulpianë, qysh edhe vazhdon sot e kësaj dite, njëjtë siç e ka përjetu edhe qeverisjen e Ramushit në kryeministri dhe Nenad Rikallos në Bujqësi”, shkroi ai.
Peci pati edhe një thirrje publike për deputeten e AAK-së, por as kësaj radhe nuk arriti t’i shpëtonte gabimeve. Në vend të “deputetes”, ai shkroi “deputetës”.
“Thirrje publike deputetës së AAK-së: Shko pyeti fermerët në Gjakovë e Deçan se çka thonë për ministrin Faton Peci në bujqësi dhe ministrin tuaj Nenad Rikallo, në këtë ministri. Hija jem po ju ndjek ende në Kuvend! Tung e bafshit zhvatësa”, përfundoi Peci.
Kështu, në një postim ku Peci pretendonte të tregonte madhështinë e qeverisjes së tij dhe të Kurtit, pozitat e tyre ishte më e vështirë që t’i shkruante sesa t’i mbronte.


















