Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar për Ligjin e Dhomave të Specializuara, duke paralajmëruar se kthimi i tij në Kuvend nga presidentja do të ishte një gabim i rëndë politik.
Kajtazi ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese duhet ta rrëzojë ligjin e ndryshuar, pasi, sipas tij, kthimi i tij nga presidentja do të kishte pasoja të rënda për Kosovën dhe për skenën politike.
Ai ka thënë se një vendim i tillë do të ishte fatal edhe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se partia do të duhej t’u shpjegonte qytetarëve arsyet e ndryshimit të ligjit, për të cilin, sipas tij, kanë protestuar edhe figura të njohura politike, përfshirë Ramush Haradinajn, Daut Haradinajn dhe Fatmir Limajn.
Kajtazi ka kritikuar gjithashtu përmbajtjen e ligjit, duke përmendur çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe rastin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas tij, nëse ligji kthehet në Kuvend dhe më pas miratohet sërish në çfarëdo forme, kjo do të mund të ndikonte negativisht në imazhin politik të PDK-së.
Në fund, ai ka vlerësuar se kthimi i ligjit në Kuvend do të ishte një gabim i madh për PDK-në dhe një përfitim politik për kryeministrin Albin Kurti.
















