Punësimet familjare nuk janë problemet e vetme në Spitalin e Mitrovicës. Vendimet për shkarkim e dorëheqje nxitën po ashtu revoltime në këtë spital. Ferdane Myftari e cila ishte ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Administratës, u shkarkua nga kjo pozitë më 13 qershor të këtij viti.
Sipas drejtoreshës, Luljeta Zhubi, arsyeja e shkarkimit të Myftarit lidhet me tejkalimin e kompetencave nga ana e saj, për çka tha se disa herë i ka bërë vërejtje gojore.
Mirëpo, Myftari insiston se shkarkimi i saj është tendencioz dhe i ndikuar nga menaxheri i Personelit, Driton Selimi, për të cilin ajo ishte ankuar vetëm pesë ditë para se të shkarkohej. Për këtë vendim, Myftari ka bërë ankesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në ShSKUK.
Në ankesën e saj drejtuar këtyre dy institucioneve, ajo ka theksuar se është kërcënuar nga menaxheri i personelit, Driton Selimi.
Për të kërkuar një sqarim për pretendimet e Myftarit, KIKS Kosova ka kontaktuar me Selimin, por i njëjti e ka ndërprerë telefonin sapo është njoftuar për temën.
Përveç për Myftarin, Zhubi gjeti zëvendësues edhe për Naser Jasharin, i cili ushtronte detyrën e drejtorit mjekësor. Jashari ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe beson se do të largohet krejtësisht nga ky spital. Mirëpo, e mohon se ka presion nga dikush.
Ani pse thotë se është lodhur dhe se ka nevojë për pushim, ai nuk e përjashton mundësinë që punën e urologut ta vazhdojë në një ordinancë private.












