Pas kthimit të Ligjit për Specialen për rishqyrtim në Kuvend, procedura për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji zhvillohet sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit.
Juristët kanë shpjeguar se çfarë ndodh me këtë ligj.
Ata kanë treguar se tani kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e dërgon ligjin në Komisioni për Legjislacion, i cili e kishte shqyrtuar ligjin në fjalë.
Sipas tyre, këtë periudhë kohore partitë politike duhet të shfrytëzojnë për shqyrtim serioz të ligjit.
Avokati Ardian Bajraktari ka bërë me dije se tani kryeparlamentrja do ta dërgojë ligjin te Komisioni për Legjislacion, i cili e kishte shqyrtuar ligjin në fjalë.
“Meqë Presidentja e Republikës e ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke vepruar në përputhje me autorizimet kushtetuese, procedura e mëtejshme zhvillohet sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit ia dërgon menjëherë ligjin për shqyrtim komisionit përgjegjës-raportues, si dhe deputetëve të Kuvendit. Komisioni përgjegjës-raportues, në këtë rast Komisioni për Legjislacion, e përgatit raportin për seancën plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të ligjit”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
Reklamë
“Rrjedhimisht, hapi i radhës është shqyrtimi i ligjit nga komisioni përkatës dhe përgatitja e raportit për seancën plenare, në të cilën Kuvendi do të vendosë lidhur me ligjin e kthyer për rishqyrtim. Kjo periudhë duhet të shfrytëzohet për një shqyrtim serioz, profesional dhe kushtetues të ligjit, me qëllim të adresimit të vërejtjeve dhe eliminimit të elementeve problematike, para se ai të rikthehet në seancë plenare”, ka shkruar ai.
Sipas tij, ky proces do të jetë gjithëpërfshirës.
“Ligjbërja, aq më tepër kur bëhet fjalë për procese të tilla me rëndësi të veçantë shtetërore, kërkon qasje gjithëpërfshirëse, profesionale dhe të mirëkoordinuar. Po ashtu duhet filluar pa vonesë konsultimet me aleatët, veçmas BE-në, me qellim të përmbushjes së zotimeve ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Të njëjtën procedurë e ka konfirmuar Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, ai ka vlerësuar se në procesin e miratimin të ligjit tani kërkohet se paku 61 vota.
“Kryetari i Kuvendit ia përcjell ligjin Komisionit përgjegjës-raportues, i cili i shqyrton arsyet e kthimit dhe përgatit raportin për seancën plenare brenda katër javësh. Në fund, çështja vendoset në seancë. Këtu standardi i votimit është më i lartë sesa gjatë miratimit të zakonshëm të një ligji: nuk mjafton shumica e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, por kërkohen së paku 61 vota, pra shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit”, ka thënë ai.


















