Por, ky çmim rezulton dukshëm më i lartë sesa ai i kontraktuar nga Komuna e Rahovecit, e cila drejtohet nga Smajl Latifi i AAK-së, ku një ton pelet është blerë për 400 euro, ndërsa në Komunën e Graçanicës është ofruar për 380 euro, raporton portali Front Online.

Sipas dokumenteve zyrtare të prokurimit që ka siguruar Front Online, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka zhvilluar tenderin me titull “Furnizim me lëndë djegëse Dru dhe Pelet”, me numër prokurimi 642-26-5114-1-1-1, vlera e parashikuar e të cilit arrin në 748,320 euro. Në këtë aktivitet të prokurimit, Komuna ka propozuar për shpërblim me kontratë grupin e operatorëve ekonomikë “BERVENIKU CORPORATION” dhe “Naser A. Hyseni” B.I., me çmim prej 499 eurosh për një ton pelet dhe 95 eurosh për një metër kub dru. Sipas dokumentit, në listën e ofertave figuron vetëm ky grup operatorësh ekonomikë. Në letrën standarde dërguar kompanive, autoriteti kontraktues ka bërë të ditur se oferta e tyre është vlerësuar si më e ulëta. Megjithatë, dokumentet e siguruara dëshmojnë rekomandimin për dhënien e kontratës, por jo nënshkrimin përfundimtar të saj. Dallimi në çmim është i konsiderueshëm. Për çdo ton pelet, Mitrovica e Jugut ka rekomanduar çmim 99 euro më të lartë sesa ai i kontraktuar nga Rahoveci dhe 119 euro më të lartë sesa oferta e rekomanduar në Graçanicë.
Edhe Podujeva e Vetëvendosjes e bleu peletin për 520 euro për ton
Mitrovica e Jugut nuk është komuna e vetme e udhëhequr nga politikanë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje që ka zhvilluar procedurë të furnizimit me pelet me çmime dukshëm më të larta sesa disa komuna të tjera. Komuna e Podujevës, e drejtuar nga Shpejtim Bulliqi i LVV-së, ka nënshkruar kontratë prej 312 mijë eurosh për furnizim me 600 tonë pelet, duke paguar 520 euro për ton. Kontrata i është dhënë kompanisë “DnA Core L.L.C.”, në pronësi të Aridon Sylejmanit nga Kamenica, i cili ka pasur angazhim politik në strukturat lokale të Vetëvendosjes. Procedura është zhvilluar përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, ndërsa vlera përfundimtare ka rezultuar 60 mijë euro më e lartë sesa vlera e parashikuar prej 252 mijë eurosh. Pra, derisa Mitrovica e Jugut ka rekomanduar çmimin prej 499 eurosh për ton, Podujeva e ka kontraktuar peletin me çmim edhe më të lartë, përkatësisht 520 euro për ton. Në anën tjetër, Komuna e Rahovecit, e udhëhequr nga Smajl Latifi i AAK-së, ka kontraktuar 350 tonë pelet për 140 mijë euro, me çmim prej 400 eurosh për ton.
Edhe në Komunën e Graçanicës, çmimi i ofertuar nga një konsorcium për furnizim me pelet është 380 euro për ton. Pjesë e atij konsorciumi është edhe kompania “DnA Core L.L.C.”, e cila ka kontratën me Podujevën, ku çmimi është 140 euro më i lartë për ton. Ky krahasim ngrit pyetje se përse çmimet e ofertave dhe kontratave publike dallojnë kaq shumë ndërmjet komunave, posaçërisht në rastet kur në dy procedura paraqitet e njëjta kompani.
Katër komuna, dallime deri në 140 euro për ton
| Komuna | Çmimi për ton | Statusi |
| Podujevë | 520 € | Kontratë e nënshkruar |
| Mitrovicë e Jugut | 499 € | Rekomandim për kontratë |
| Rahovec | 400 € | Kontratë e nënshkruar |
| Graçanicë | 380 € | Ofertë e rekomanduar |
Duke marrë si bazë çmimin prej 400 eurosh në Rahovec, çdo 100 tonë pelet do t’i kushtonin Mitrovicës së Jugut 9,900 euro më shumë, sipas çmimit të rekomanduar prej 499 eurosh. Krahasuar me çmimin prej 380 eurosh në Graçanicë, diferenca do të arrinte në 11,900 euro për çdo 100 tonë
















