‘‘Zgjedhjet’’ vazhdojnë të jenë kryefjala e skenës politike në Kosovë. Ani pse, ky proces ka përfunduar në nivel vendi të paktën për një kohë, i njëjti ka filluar në nivele partiake. Kjo pasi që, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, e Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në frymë zgjedhore.
E para, PDK’ja, edhe pse si procedurë ende jo, procesi zgjedhor mund të thuhet se tashmë ka filluar. Kjo për shkakun që gjatë kësaj jave, Bedri Hamza, dha dorëheqje nga pozita e të parit të kësaj partie.
Hamza hoqi dorë nga kreu i partisë një ditë para se ky subjekt të bënte kërkesë për tërheqjen e ligjit për Specialen. Shumëkush e ndërlidhi largimin e tij me këtë veprim. Hamza kishte paralajmëruar kohë më parë se më s’do të rikandidonte për këtë pozitë.
Menjëherë pas dorëheqjes së Hamzës, karrigen e të parit të PDK’së e mori Vlora Çitaku, si ushtruese e detyrës, deri në zgjedhjen përfundimtare të liderit të kësaj partie. Pozitë për të cilën, edhe pse ende jo zyrtarisht, porse po fliten, të jenë kandidatë disa emra.
Zgjedhjet e brendshme i ka ‘përqafuar’ edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Këta të fundit mbrëmë, pas një takimi që zhvilluan me drejtuesit e Qendrave të Lëvizjes në Kosovë dhe në mërgatë, njoftuan se janë dakorduar në parim që të shpallin procesin e zgjedhjeve të brendshme.
Nga VV’ja, u vlerësua se ky proces, është i rëndësishëm për ‘’ripërtëritjen, konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të strukturave’’ të tyre.
‘’Zgjedhjet e brendshme përbëjnë një proces të rëndësishëm demokratik për ripërtëritjen, konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të strukturave tona. Ato janë mundësi për mobilizim më të fuqishëm organizativ, për zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë, për avancimin e kuadrove dhe për forcimin e lidhjes së drejtpërdrejtë të Lëvizjes me qytetarët në çdo nivel të organizimit’’, thuhet në reagimin e djeshëm.
Nga VV’ja, u shtuar se synimi i tyre është që pas këtij procesi të dalin ‘’më të bashkuar, më të fuqishëm dhe më të përgatitur”.
‘’Nga ky proces, Qendrat tona synojnë të dalin edhe më të bashkuara, më të fuqishme dhe më të përgatitura për përgjegjësitë dhe angazhimet që na presin. Fuqizimi i organizatës sonë politike është i pandashëm nga përmbushja e përgjegjësive tona qeverisëse dhe nga ndërtimi i një alternative gjithnjë e më të konsoliduar në nivelin lokal’’, thuhet nga VV’ja.
Situatë më e ndërlikuar duke të jetë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kjo për arsyen se, kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka ‘konfirmuar’ zgjedhjet në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa në anën tjetër, zërat kundër tij dhe kërkesat për dorëheqjen e tij, vazhdojnë të rriten.
Fillimisht, thirrje për dorëheqjen e tij bëri edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ani pse ky i fundit, edhe vetë e potencon vazhdimisht se s’është pjesë e LDK’së, ka kërkuar që Abdixhiku të tërhiqet, duke shfaqur ‘gatishmërinë’ e tij që të garojë për të parin e kësaj partie.
‘Pro’ kësaj ideje është shfaqur deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, i cili mes tjerash, për Nacionalen, ka vlerësuar Kujtim Shala, Hykmete Bajrami dhe Përparim Rama janë vetëm disa nga kandidatët që do ta nderonin LDK-në.
Thirrje për zgjedhje në LDK ka bërë edhe Arben Gashi.
Gashi, ka bërë thirrje që të dialogohet dhe të dakordohen brenda kësaj partie për zgjedhje të reja partiake, që do mbaheshin në një kohë të përshtatshme.
‘‘Unë besoj në një fillim të ri: demokratik, gjithëpërfshirës dhe bashkues. Një proces zgjedhor brenda LDK-së, ku askush nuk përjashtohet, secili ka të drejtë të kandidojë apo të rikandidojë dhe ku vendosin anëtarët përmes votës së lirë. Prandaj, bëj thirrje që të ulemi, të dialogojmë dhe të dakordohemi për zgjedhje të reja partiake, në një kohë të përshtatshme dhe me rregulla të drejta për të gjithë. Për mua, lidershipi nuk është të shmangësh vendimet e vështira, por të kesh guximin t’i marrësh ato në interes të përbashkët. Nuk është të mbrosh status quo-në, por të hapësh rrugë për ndryshim. Dhe mbi të gjitha, nuk është të bashkosh vetëm ata që mendojnë njësoj, por të krijosh hapësirë për të gjithë’’, ka shkruar Gashi ditë më parë.
Për zgjedhje në këtë parti ka folur edhe Lutfi Haziri. Porse, ky i fundit ka deklaruar se viti i ardhshëm, 2027, është viti i zgjedhjeve të brendshme në të gjitha ‘’vlerat të cilat i sublimon’’ LDK’ja.
‘‘Viti 2027 është vit i zgjedhjeve të brendshme me të gjitha vlerat të cilat i sublimon LDK. Ne jemi parti e vlerave të demokracisë, garës së drejtë dhe mirënjohës për të gjithë ata që kontribuan e ndërtuan për 37 vite këtë aset kombëtar. LDK është shtëpi e besimtarëve të saj, është besë e shpresë për Republikën e Kosovës dhe shqiptarët. Misioni ynë duhet të arrihet deri në kthimin e besimit dhe bashkimin e shqiptarëve, duke qenë gjithmonë mirënjohës e falënderues për partnerët tanë, me vendosmërinë për marrëdhënie speciale me SHBA-të, me Evropën si shtëpi.’’.


















