Kilometra nën rrota, bllokime trafiku dhe pritje. Kjo është ajo që i pret serbët e Kosovës nëse duan të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në parlamentin e Serbisë. Çfarë do t’u sjellin atyre rezultatet e zgjedhjeve?
Milosh Mrkiq (28 vjeç) duhet të udhëtojë pothuajse 300 kilometra më 25 tetor për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ky inxhinier ndërtimi, me origjinë nga Mitrovica e Veriut, u zhvendos në Beogradgjatë studimeve dhe atje ka votuar në çdo cikël zgjedhor. Por pas tre vitesh jetese dhe pune në Shën Petersburg të Rusisë, ai vendosi të kthehet në qytetin e tij të lindjes.
Ai nuk është i vetmi. Të gjithë serbët e Kosovës që dëshirojnë të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duhet të udhëtojnë të paktën dhjetëra kilometra më 25 tetor. Meqenëse votimi për Parlamentinserb nuk organizohet në Kosovë, ata duhet të shkojnë në qendrat e votimit në Rashkë, Kurshumli, Vranjë ose Ribariq.
Çdo votë ka rëndësi
Këto zgjedhje pritet të jenë më të pasigurta se çdo proces zgjedhor në dekadën e fundit. Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila është në pushtet, do të përballet me Listën e Studentëve, një alternativë që sipas sondazheve po e sfidon seriozisht dominimin shumëvjeçar të SNS.
Sipas politologut Ognjen Gogiq, pikërisht për këtë arsye çdo votë është e rëndësishme për SNS-në. Kjo, sipas tij, shpjegon edhe nevojën për të pasur kontroll të plotë mbi votimin e serbëve të Kosovës.
Këtë herë Beogradi nuk ka insistuar shumë që votimi të mbahet në Kosovë. Po pse?
“Arsyeja nuk është se Beogradi e dinte që Prishtina do ta refuzonte organizimin e zgjedhjeve. Beogradi dëshiron këtë herë të ketë kontroll më të madh mbi votimin e serbëve në Kosovë dhe t’i organizojë drejtpërdrejt vetë zgjedhjet. Nëse ato do të mbaheshin në Kosovë, organizimi do t’i takonte OSBE-së, ku SNS nuk do të kishte kontroll të plotë”, vlerëson Gogiq.
Pikërisht për këtë arsye, një numër i madh qytetarësh që kanë vendbanim në Serbi, por jetojnë në Kosovë, do të drejtohen për të votuar në këto katër qytete.
Serbët e Kosovës si “kontingjent rezervë”
Gogiq thotë se është heret të parashikohet fituesi. Por ai beson se në rast ndryshimi të pushtetit, presioni ndaj serbëve të Kosovës do të ishte më i vogël. “Serbët e Kosovës do të detyroheshin më pak të dëshmojnë besnikëri ndaj Beogradit dhe të përfshihen në aktivitetet që qeveria serbe i organizon për interesat e saj politike”, thotë ai.
Gogiq pohon se qëllimi i Listës Serbe dhe SNS-së nuk ka qenë përmirësimi i pozitës së serbëve në Kosovë. “Qeveria në Beograd i sheh serbët e Kosovës si instrument të politikës së saj dhe të ruajtjes së pushtetit. Ajo merret me ta vetëm në masën që kjo i shërben ruajtjes së rendit politik në Beograd”, thekson ai.
Si shembull, ai përmend pjesëmarrjen e vazhdueshme të serbëve të Kosovës në tubimet e SNS-së si një “kontingjent rezervë”, si dhe qëndrimin e tyre në kampin para ndërtesës së Presidencës, i njohur si „Ćaciland“. “Nëse pozita e serbëve do të ishte vërtet prioritet për autoritetet në Beograd, ata nuk do t’i kishin përfshirë në politikën e brendshme të Serbisë në këtë krizë politike, sepse kjo përfshirje ndikon negativisht në pozitën e tyre”, thotë Gogiq.
Të paktën më shumë ndershmëri
Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar aktivitetet e fushatës zgjedhore për zgjedhjet serbe. Policia e Kosovës ka shpërndarë një tubim të Listës Serbe, degës lokale të SNS-së në Kosovë. Disa prej anëtarëve të Listës Serbe gjenden në listën zgjedhore të koalicionit „Serbia e Bashkuar“.
Është hequr edhe slogani „Studentët fitojnë” nga një pikë karburanti në Zubin Potok dhe në vende të tjera. Por as gjatë këtij procesi zgjedhor nuk kanë munguar përpjekjet për ndikim përmes telefonatave ndaj punonjësve të sektorit publik.
Lista e Studentëve gëzon mbështetjen e hapur të një pjese të serbëve në Kosovë, si dhe të studentëve, të cilët gjatë dy viteve të protestave kanë organizuar tubime dhe manifestime në mbështetje të tyre.
Gazetari Andrija Lazareviq nuk pret ndryshime të mëdha, edhe në rast të fitores së Listës së Studentëve. “Pozita e serbëve dhe e Serbisë në Kosovë është dëmtuar aq shumë që nga ardhja e SNS-së në pushtet, sa që është e vështirë të imagjinohet një përmirësim i shpejtë dhe thelbësor”, vlerëson ai. Megjithatë, Lazareviq beson se serbët e Kosovës presin të paktën më shumë ndershmëri.
“Marrëveshje të rëndësishme janë bërë pas dyerve të mbyllura dhe ato kanë ndryshuar mënyrën e jetesës dhe historinë e serbëve në Kosovë. Të paktën, duhet të jemi më të sinqertë”, thotë Lazareviq, redaktor i portalit Zubin Potok Info.
Kush voton?
Në pikëkalimet nga Kosova priten kolona të gjata dhe pritje me orë të tëra më 25 tetor. Megjithatë, nuk dihet saktësisht sa qytetarë do të votojnë, pasi numri i votuesve nga Kosova është rritur me rreth 20 mijë mes dy cikleve zgjedhore, sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë.
Aktualisht, në listën zgjedhore figurojnë 115.856 votues nga Kosova, ndërsa para zgjedhjeve të vitit 2023 ishin 94.161. Ognjen Rashuo nga Komisioni për Rishikimin e Listës Zgjedhore e shpjegon këtë rritje me ndryshimet në mënyrën e regjistrimit të votuesve. Por kjo rritje hap dyshime për abuzime të mundshme.
“Nuk po them se kemi të bëjmë me votues fantazmë sepse nuk kam prova për këtë. Por me përgjegjësi them se publiku nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar se kush e përbën këtë elektorat dhe cilat mund të jenë efektet”, deklaroi Zoran Saviq nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicën e Veriut.
Ndërsa po qëndronim në një stol pranë urës kryesore në Mitrovicë, i riu Milosh Mrkiq flet për planet e tij për të ardhshme. Ai merret me muzikë, por nuk e di nëse do të mbetet këtu apo do të shpërngulet diku tjetër. “Do të doja t’u thosha njerëzve, veçanërisht bashkëqytetarëve të mi, të mendojnë mirë për atë që kanë përjetuar gjatë viteve të fundit. Le t’i vënë gjërat në peshore dhe të shohin se si ishte situata para dhe pas Listës Serbe dhe SNS-së. Pastaj le të vendosin vetë nëse duhet t’i votojnë ata apo jo”, thotë ai./DW/















