Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që ende nuk kanë votuar, të dalin në zgjedhje dhe të mbështesin “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17.
Përmes një mesazhi, Kurti u ka kërkuar qytetarëve që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të votuar, duke thënë se secila votë ka rëndësi për përfaqësimin e tyre, shkruan Insajderi.
Ai ka lidhur pjesëmarrjen në zgjedhje edhe me përpjekjet për barazi dhe kundërshtimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në këto tri komuna.
“Dilni e votoni. Ftojini edhe familjarët e miqtë tuaj që ta ushtrojnë këtë të drejtë”, ka shkruar Kurti.
Në fund të mesazhit, ai ka kërkuar mbështetje për “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17, duke e lidhur këtë votë me mundësinë që shqiptarët të kenë përfaqësim më të fuqishëm dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendlindje.
















