Në deklaratën e tij të parë publike që nga mbyllja e vendvotimeve, presidenti izraelit Isaac Herzog u bëri thirrje partive politike të kenë “mendje të hapur”, me qëllim që të shmanget një rund tjetër zgjedhjesh, shkruan CNN.
“Një gjë duhet të jetë e qartë, dhe këtë e thashë edhe para zgjedhjeve: duhet të bëjmë gjithçka që mundemi, sidomos pas ditës së djeshme, për të shmangur një rund tjetër zgjedhjesh”, tha Herzog të mërkurën pasdite, ndërsa numërimi i votave po i afrohej përfundimit.
Pasi rezultatet të certifikohen, Herzog nis takimet me të gjitha partitë politike, me qëllim që të përcaktojë se cili kandidat ka gjasat më të mira për ta formuar qeverinë. Por, nëse askush nuk arrin të formojë qeverinë, Izraeli automatikisht shkon drejt një raundi tjetër zgjedhjesh, një skenar që Herzog e ka bërë të qartë se dëshiron ta parandalojë.
“Prandaj, pres që të gjithë ata që vijnë këtu të vijnë me mendje të hapur”, tha ai.
Herzog vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen e lartë të votuesve, duke e cilësuar atë si shenjë të demokracisë së Izraelit. “Dita e djeshme e zgjedhjeve ishte vërtet mbresëlënëse, me pjesëmarrjen më të lartë në dekada. Kjo është një medalje nderi për shoqërinë izraelite dhe ishte e jashtëzakonshme të shihej se sa e thellë është dëshira për demokraci në Izrael”, tha ai.















