Kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka vënë në pikëpyetje përkatësinë partiake të asamblistëve të kësaj partie, pasi ata vazhdojnë bashkëqeverisjen me Faton Pecin, pavarësisht fyerjeve të tij ndaj LDK-së.
Reagimi i Plakollit vjen pas një videoje të Pecit, në të cilën ai sulmoi sërish ish-partinë e tij, LDK-në, e cila po ia siguron pushtetin në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.
Plakolli ka kritikuar asamblistët që, sipas tij, vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë kryetarit të komunës, pavarësisht gjuhës fyese ndaj subjektit të tyre politik.
“Politika kërkon parime, dinjitet, koherencë politike, si dhe solidaritet me njerëzit tuaj e të partisë tënde, e jo veç interesa të përbashkëta momentale”, ka shkruar Plakolli.
Ai ka paralajmëruar se ata që i harrojnë idealet për hir të pushtetit e humbin rrugën politike, pavarësisht se me kë qeverisin.
















