Zhvillime të reja kanë ndodhur lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Policia e Kosovës njoftoi se 11 zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra, në kuadër të zhvillimeve pas nisjes së hetimeve për mënyrën se si është trajtuar rasti i viktimës.
Sipas informacioneve të reja të siguruara nga IndeksOnline, në mesin e zyrtarëve të suspenduar janë:
Agron Hasanaj – Drejtor rajonal i Policisë.
Ndue Nikolla – Major, shef i Hetimeve Rajonale.
Faik Jahmurataj – Kapiten, komandant i Stacionit Policor në Pejë.
Dervish Haxhiaj – Zëvendëskomandant dhe shef i Operativës në Stacionin Policor në Pejë.
Sami Lekaj – Komandant i Nënstacionit Policor në Vitomiricë.
Faruk Muqolli – Shef i Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë.
Po ashtu, në informacionet e siguruara përmenden edhe katër hetues të tjerë të Policisë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.
Ky zhvillim vjen pasi Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese lidhur me trajtimin e raportimeve të Arlinda Zekajt nga zyrtarët policorë.
Hetimet synojnë të sqarojnë nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe nëse ka pasur veprime apo mosveprime që mund të kenë ndikuar në trajtimin e rastit.
















