Dy vëllezërit, Albert dhe Jeton Sylaj, janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, njëri dje e tjetri sot, mëson Gazeta Express. Ata ndodhen në pavijone të ndryshme brenda burgut.
Arlinda Zekaj u privua nga jeta me sëpatë të dielën, 25 tetor 2026, ku i dyshuari kryesor është ish-kunati Albert Sylaj, ndërsa ditën e njëjtë nga vetë e ndjera ishte denoncuar në polici ish-burri Jeton Sylaj.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka bërë të ditur se ka evidentuar një varg shkeljesh në mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar rastet e raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, përfshirë moszbatimin e një urdhri mbrojtës, vonesën në ekzekutimin e një urdhri tjetër dhe mosveprimin e zinxhirit komandues ndaj kërkesave për vlerësimin e rastit.
Bazuar në gjetjet preliminare, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, rekomandim të cilin Policia e ka zbatuar.
Ndërsa, Këshilli Prokurorial i Kosovës suspendoi nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetajn dhe zv.kryeprokuroren e Pejës, njëherësh koordinatoren për rastet e dhunës në familje, Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Protestat në Prishtinë dhe qytete të tjera kanë vazhduar për ditën e dytë me radhë, ku po kërkohet dorëheqja e ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
















