Keltët, të cilët jetonin rreth 2 mijë vjet më parë në territoret e Irlandës, Britanisë dhe Francës së sotme, e konsideronin 1 nëntorin si fillimin e vitit të ri. Nata e 31 tetorit shënonte fundin e verës dhe të korrjeve, si dhe hyrjen në stinën e errët e të ftohtë të dimrit.
Ata besonin se gjatë kësaj nate kufiri mes botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve bëhej më i hollë dhe se shpirtrat mund të ktheheshin në tokë. Për këtë arsye, ndiznin zjarre të mëdha dhe kryenin rituale, ndërsa njerëzit vishnin kostume dhe maska për të trembur shpirtrat.
Si u lidh Halloween me traditën e krishterë?
Me kalimin e kohës, festimet pagane u ndërthurën me traditat romake dhe ato të krishtera. Në vitin 609, Papa Bonifaci IV e kushtoi Panteonin e Romës për nder të të gjithë martirëve, ndërsa më vonë Papa Gregori III e zgjeroi festën e 1 nëntorit, duke e kthyer në ditë për nderimin e të gjithë shenjtorëve.
Mbrëmja para kësaj date u njoh si “All Hallows’ Eve”, që më vonë u shkurtua në “Halloween”. Ndërkohë, 2 nëntori u bë Dita e të Gjithë Shpirtrave, e dedikuar për përkujtimin e të vdekurve.
Ndikim në traditat e Halloweenit patën edhe festat romake, përfshirë Feralian, që i kushtohej të vdekurve, dhe festën e Pomonës, perëndeshës së pemëve dhe frutave. Kjo e fundit lidhet me lojën tradicionale të kapjes së mollëve, e njohur si “bobbing for apples”.
Si u përhap Halloween në Amerikë?
Fillimisht, Halloween nuk u përhap gjerësisht në kolonitë amerikane. Festa u bë më e njohur me ardhjen e emigrantëve evropianë, veçanërisht irlandezëve, të cilët u larguan drejt Amerikës gjatë urisë së madhe në Irlandë në shekullin XIX.
Me kalimin e viteve, ajo mori një karakter më shumë komunitar dhe familjar, duke u shoqëruar me festa, lojëra dhe maskime për fëmijë e të rritur. Gazetat e kohës madje nxisnin largimin e elementeve të frikshme dhe magjike, në mënyrë që Halloween të shndërrohej në një festë për të gjithë.
Nga tradita e ëmbëlsirave te kungujt e ndriçuar
Një nga traditat më të njohura të Halloweenit është “Trick or Treat”, kur fëmijët të veshur me kostume shkojnë derë më derë për të kërkuar ëmbëlsira.
Kjo traditë lidhet me zakonet angleze të Ditës së të Gjithë Shpirtrave, kur njerëzit e varfër shkonin shtëpi më shtëpi për të kërkuar “soul cakes”, biskota që u jepeshin në këmbim të lutjeve për të vdekurit. Me kalimin e kohës, këtë zakon e përvetësuan fëmijët, duke e kthyer në traditën që njihet sot.
Një tjetër simbol i festës është kungulli i gdhendur, i njohur si “Jack-o’-lantern”. Origjina e tij lidhet me një traditë irlandeze, ku njerëzit gdhendnin perime për të trembur shpirtrat e këqij. Kur emigrantët irlandezë u vendosën në Amerikë, filluan të përdornin kungujt, pasi ishin më të mëdhenj dhe më të lehtë për t’u gdhendur.
Besëtytnitë dhe simbolet e Halloweenit
Halloween është shoqëruar ndër shekuj me besime dhe bestytni të ndryshme. Në të kaluarën, njerëzit besonin se shpirtrat e të afërmve të vdekur ktheheshin për t’i vizituar, ndaj linin ushqim në prag të shtëpive për t’i mirëpritur.
Ndërsa në besimet popullore të mëvonshme, macet e zeza dhe pasqyrat e thyera u lidhën me fatin e keq. Këto besime u ndikuan edhe nga traditat mesjetare, kur macet e zeza shpesh shoqëroheshin me shtrigat dhe magjinë.
Halloween lidhej edhe me parashikimin e së ardhmes. Në Irlandën e shekullit XVIII, për shembull, disa gra të reja besonin se mund të zbulonin identitetin e bashkëshortit të ardhshëm përmes ritualeve të ndryshme. Një prej zakoneve popullore thoshte se vajza që gjente një unazë në purenë e patateve gjatë kësaj nate do të martohej brenda vitit.
Halloween sot, festë miliardëshe dhe frymëzim për kinemanë
Në ditët e sotme, Halloween është shndërruar në një nga festat më të mëdha komerciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shpenzimet për kostume, ëmbëlsira dhe dekorime arrijnë në miliarda dollarë çdo vit, duke e renditur atë ndër festat më fitimprurëse pas Krishtlindjeve.
Festa ka lënë gjurmë edhe në industrinë e filmit, duke frymëzuar një numër të madh produksionesh horror dhe familjare. Ndër filmat më të njohur janë “Halloween” i vitit 1978, me regji të John Carpenter, si dhe “Scream”, “A Nightmare on Elm Street”, “Hocus Pocus”, “The Nightmare Before Christmas” dhe “Beetlejuice”.
Nga ritualet e lashta kelte deri te festimet moderne me kostume, ëmbëlsira dhe filma horror, Halloween ka ruajtur lidhjen me misterin dhe të pazakonshmen, ndërsa me kalimin e shekujve është shndërruar në një festë me tradita të ndryshme në mbarë botën.
















