Në kuadër të projektit për ndriçimin SMART të kryeqytetit, Komuna e Prishtinës ka lidhur dy kontrata të ngjashme në dy vitet e fundit për rregullimin e ndriçimit. Kontratën e parë me titull “Ndërtimi, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetetit të ndriçimit publik” e ka lidhur më 9 korrik 2024 në vlerë të parashikuar prej 1.5 milion euro, ndërsa më 16 prill 2025 ka lidhur kontratë të ngjashme me titull “Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare në Komunën e Prishtinë” në vlerë të parashikuar prej 10 milionë euro.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka promovuar me pompozitet projektin e zgjerimit dhe modernizimit të ndriçimit publik në kryeqytet, i cili parasheh ndër të tjera vendosjen e sistemit “smart” të ndriçimit në mbi 500 rrugë. Sipas Ramës, ky sistem mundëson menaxhim dhe mirëmbajtje më efikase të rrjetit të ndriçimit publik, raporton Veriu.info.
Mirëpo, në praktikë kontratat për këtë projekt po ngrehin dyshime për dallavere të mëdha financiare përmes fryerjes së çmimeve për njësi.
Javën e kaluar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli kishte publikuar pjesë të këtyre kontratave, duke i krahasuar çmimet, të cilat janë rritur në mënyrë drastike nga kontrata e vitit 2024 në kontratën e vitit 2025.
Veriu.info ka siguruar dy kontratat e Komunës së Prishtinës për modernizimin e ndriçimit publik me sistemin “Smart”, ku ka gjetur se çmimet e pozicioneve në kontratën e vitit 2025 janë rritur në mënyrë astronomike krahasuar me ato të kontratës së vitit 2024.
Nga krahasimi i pozicioneve me përshkrime dhe specifika teknike të njëjta, Veriu.info ka gjetur dallime të jashtëzakonshme në çmimet për njësi.
Rasti më i theksuar është ai i koncentratorit RTU200Z, Zigbee 2.4G, me ekran LCD. Në kontratën e vitit 2024, kjo pajisje ishte paraparë të kushtonte 1 euro e 20 cent për njësi, ndërsa në kontratën e vitit 2025 çmimi është përcaktuar në 2 mijë e 300 euro. Pra, për të njëjtin përshkrim dhe specifika teknike, çmimi për njësi është rritur për 191 mijë e 566%.
Një dallim i ngjashëm vërehet edhe te siguresa FID 4P 63/0.5A. Në kontratën e vitit 2024, çmimi për njësi ishte 0,50 euro, ndërsa në kontratën e vitit 2025 është përcaktuar në 55 euro. Kjo paraqet një rritje prej 10 mijë e 900%.
Pavarësisht se është më i ulët se sa në kontratën paraprake, çmimi i pozicionit 27 për njësi (metër gjatësi) është skandaloz. Kjo pasi që në kontratë një (1) metër gjatësi e shiritit vrojtues është paraparë të paguhet nga komuna në vlerë prej 8.5 euro, ndërsa në realitet çmime i një metre gjatësi i këtij shiriti në markete kushton 2 cent, që është rritje e çmimit prej 40 mijë e 700%.
Sipas informacioneve të brendshme të siguruara nga Veriu.info, Komuna e Prishtinës kishte planifikuar të shtronte rreth 50 mijë metra gjatësi të shiritit vrojtues (paralajmërues) për identifikimin e kabllove energjetike në kanale. Në kontratë, çmimi i këtij materiali është përcaktuar në 8,50 euro për metër. Nëse e gjithë sasia e planifikuar është realizuar, atëherë kostoja do të arrinte në 425 mijë euro.
Ndërkaq, një produkt i ngjashëm, me gjatësi 300 metra dhe gjerësi 75 milimetra, në Kosovë ofrohet online për 6,25 euro, që i bie rreth 2 centë për metër. Me këtë çmim, 50 mijë metra të shiritit do të kushtonin rreth 1.042 euro. Kjo krijon një diferencë prej afro 424 mijë eurosh në raport me çmimin e kontraktuar nga Komuna.


Në tabelën e mëposhtme gjeni çmimet krahasuese të nxjerra nga Veriu.info për 15 njësitë me rritjet më të mëdha:

Këtu i gjeni gjitha pozicionet për njësi të kontratës të vitit 2024:




Këtu i gjeni gjitha pozicionet për njësi të kontratës të vitit 2025:




















