Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për rastin e vrasjes në Aktash, të hënën u dëgjua eksperti i balistikës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF), Fatmir Gashi, i cili deklaroi se nga pesë armët që kanë ekzaminuar, nga njëra rezultoi se janë shkrepur 24 plumba.
“Kësaj arme me gëzhojat e kalibrit të njëjtë që ka ardhë për ekzaminim ka rezultuar se nga kjo pistoletë janë shkrepur 24 fishekë”, tha eksperti Gashi.
Në këtë rast, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, akuzohen lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paraprakisht, në sesionin e paraditës është dëgjuar dëshmitarja R.D., e cila tha se në ditën kritike kishte pas disa diskutime me të dashurin e saj, por se ato diskutime nuk lidheshin me rastin që kishte ndodhur më vonë.
Në ditën kritike, R.D., tha se ishte duke punuar në lokalin “From” dhe se e kishte marrë si biznes– lokalin për të punuar së bashku me të dashurin e saj.
Ajo tha se para se të ndodhte rasti me të shtëna armësh mes dy grupeve, kishte parë në tarrancën e lokalit Salih Sekiraqën me grupin e tij.
Në momentin kur ka pasur gjuajtje armësh mes dy grupeve, dëshmitarja tha se ishte në brendësi të lokalit së bashku me djalin e Sekiraqës dhe të dashurin e saj.
Për djalin e Salih Sekiraqës, R.D., tha se e kishte përjetuar rëndë si i mitur rastin, duke shtuar se kishte bërtitur.
“Ka bërtitë, babë a je mirë, a je mirë. Kaq”, tha R.D.
Gjithashtu, ajo tha se nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike për faktin se është absurde të kërkohet dëmshpërblim kur në këtë rast kishte viktimë një 29-vjeçar.
Paraprakisht, Gjykata mori vendim për udhër mbrojtjës ndaj dëshmitares, duke u dëgjuar kështu në hapësirë tjetër të gjykatës dhe jo në gjykatore.
Në sesionin e pasditës, Gjykata vazhdoi me dëgjimin e ekspertit të AFK-së, Fatmir Gashi i cili tha se objekt ekspertimi kishin 5 armë dhe atë prej tyre 4 pistoleta dhe një armë e gjatë.
Eksperti tha se krahas 5 pistoletave që i kanë ekzaminuar, ka dalë se nga gëzhojat që kanë ardhë në AKF e që janë marrë nga vendi ngjarjes, rezultoi se edhe 7 armë të tjera janë përdorë. Pra, sipas ekspertit, në total mund të jenë përdor 14 armë.
“Në këtë rast së paku 12 armë janë përdorë, por mund të jenë edhe 14 armë”, tha eksperti.
Për ekzaminim, eksperti tha se kishin 85 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm të armëve dhe sqaroi edhe armët e gjata dhe shkurta.
“Dy armë kanë qenë të gjata, 7.62 me 39 milimetra, të tjera kanë qenë pistoleta të kalibrave më të vogla”, shtoi eksperti.
Për armën e përdorur nga Llumnica, eksperti tha se nga ajo janë përputhur 24 gëzhoja.
“Në bazë të krahasimeve, 24 gëzhoja të kalbrit të njëjtë janë përputhur me këtë armë”. tha eksperti.
Lidhur me armën që janë shkrepur 24 fishekë, eksperti tha se mund të ketë gjasa që janë shpenzuar gati tre karikatorë, për faktin se një karikator zë 9 fishekë.
Ndryshe, në seancën fillestare më 6 maj 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Vesel Bunjaku u deklarua i pafajshëm për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Manipulim me prova”. Kurse Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, ndërkaq e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.
Ndërkaq, në seancën e 26 gushtit 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan sërish të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Të akuzuarit Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Ajvazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, kurse e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, fajësinë e pranoi për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova” i akuzuari Vesel Bunjaku, të cilit iu veçua procedura, kurse më 28 gusht 2026, Bunjaku u dënua me 7 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Kujtojmë se më 21 korrik 2026, nisi gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci. Gjykimi ndaj tyre po zhvillohet në mungesë, meqenëse dy të akuzuarit deri tani janë të paarritshëm për drejtësinë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë Premtim Gashi, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.














