Ekipi i avokatëve të Dr. Gëzim Berishës ka reaguar me një demantim publik ndaj raportimeve mediatike lidhur me rastin ndaj tij, duke mohuar pretendimet se ai e kishte kërcënuar bashkëshorten e tij se do t’i ndodhte e njëjta gjë si Arlinda Zekajt, e cila u vra në Pejë.
Në një sqarim publik, mbrojtja e Berishës i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe të sajuara, duke pretenduar se komunikimi elektronik i përmendur në kallëzimin penal kishte ndodhur shumë kohë më parë dhe nuk kishte asnjë lidhje me rastin e rëndë në Pejë.
“Raportimi në disa media se gjoja ‘Berisha ka kërcënuar bashkëshorten se do t’i ndodhë e njëjta sikurse A.Z.’ është plotësisht i pavërtetë dhe i sajuar”, thuhet në reagimin e ekipit mbrojtës.
Avokatët u kanë bërë thirrje mediave që, sipas tyre, kanë publikuar raportime të pasakta, t’i korrigjojnë ato dhe të kërkojnë falje publike.
Berisha mohon pretendimet për dhunë
Në reagim, mbrojtja ka bërë të ditur se Dr. Gëzim Berisha i mohon kategorikisht pretendimet për ushtrim të dhunës apo keqtrajtim ndaj bashkëshortes.
Sipas avokatëve, edhe në shkresat e lëndës, bazuar në deklarimin e bashkëshortes, thuhet se nuk ka pasur ushtrim të dhunës fizike ndaj saj.
Mbrojtja ka bërë të ditur se çifti është në procedurë të shkurorëzimit, të cilën, sipas saj, e ka iniciuar Berisha, ndërsa prej disa muajsh nuk jetojnë së bashku.
Sipas reagimit, mosmarrëveshjet ndërmjet palëve kanë të bëjnë me çështje civile-familjare dhe shqetësimet për mirëqenien, edukimin dhe vijimin e rregullt të shkollimit të dy vajzave të tyre të mitura, të moshës 11 dhe 7 vjeç.
Avokatët kanë deklaruar gjithashtu se posedojnë komunikime dhe prova materiale që, sipas tyre, dëshmojnë përmbushjen e obligimeve prindërore dhe mbështetjen ndaj familjes edhe pas ndarjes.
Kërkojnë heqjen e arrestit shtëpiak
Ekipi mbrojtës ka kundërshtuar edhe masën e arrestit shtëpiak ndaj Berishës, duke vlerësuar se ajo nuk mbështetet në prova dhe rrethana të mjaftueshme.
Sipas avokatëve, vendimi duhet të rivlerësohet përmes një shqyrtimi të plotë dhe objektiv të provave, kushteve ligjore dhe parimit të proporcionalitetit, me qëllim të heqjes së kësaj mase.
Në fund të reagimit, mbrojtja ka kërkuar respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe ka theksuar se argumentet dhe provat do t’i paraqesë përmes mekanizmave ligjorë, duke kërkuar njëkohësisht respektimin e privatësisë së fëmijëve të mitur dhe integritetit të procedurës.
Ky është reagimi i Avokateve:
DEMANTIM DHE SQARIM PUBLIK LIDHUR ME RAPORTIMET PËR RASTIN E DR. GËZIM BERISHËS
Duke qenë se dhuna në çdo formë, e veçanërisht dhuna ndaj grave dhe vajzave, është e papranueshme, si ekip mbrojtës i Dr. Gëzim Berishës ndiejmë përgjegjësinë të sqarojmë rrethanat faktike të rastit, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik dhe përgënjeshtrimit të raportimeve të pasakta në media.
Përgënjeshtrimi i ndërlidhjes me tragjedinë në Pejë (Rasti A.Z.)
Komunikimi elektronik i përmendur në kallëzimin penal, ka ndodhur shumë kohë më parë dhe nuk përmban asnjë referencë ndaj rastit që ka ndodhur në Pejë. Për këtë arsye, raportimi në disa media se gjoja “Berisha ka kërcënuar bashkëshorten se do t’i ndodhë e njëjta sikurse A.Z.” është plotësisht i pavërtetë dhe i sajuar. Kërkojmë nga mediat përkatëse që të distancohen menjëherë nga shkrimet e tilla, t’i korrigjojnë ato dhe të kërkojnë falje publike.
Mohimi i pretendimeve dhe konteksti i vërtetë familjar
Dr. Gëzim Berisha i mohon kategorikisht të gjitha pretendimet për ushtrim të dhunës apo keqtrajtim. Edhe sipas vetë deklarimit të bashkëshortes në shkresat e lëndës, konfirmohet se nuk ka pasur ushtrim të dhunës fizike ndaj saj. Palët janë në procedurë të shkurorëzimit, të iniciuar nga Dr. Berisha, dhe prej disa muajsh nuk jetojnë së bashku. Mosmarrëveshjet ndërmjet tyre kanë natyrë ekskluzivisht civile-familjare dhe lidhen me shqetësimet prindërore për mirëqenien, edukimin dhe vijimin e rregullt të shkollimit të vajzave të tyre të mitura (11 dhe 7 vjeç). Gjithashtu, mbrojtja posedon komunikime dhe prova materiale që dëshmojnë përmbushjen e vazhdueshme të obligimeve prindërore dhe mbështetjen ndaj familjes edhe pas ndarjes.
Pabazueshmëria e masës së arrestit shtëpiak
Sipas vlerësimit të mbrojtjes, masa e arrestit shtëpiak nuk mbështetet në provat dhe rrethanat e pasqyruara në shkresat e lëndës. Konsiderojmë se ky vendim duhet të rivlerësohet mbi bazën e një shqyrtimi të plotë dhe objektiv të provave, kushteve ligjore dhe parimit të proporcionalitetit, duke rezultuar me heqjen e tërësishme të kësaj mase.
Në përfundim, kërkojmë respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe lejimin e institucioneve kompetente që ta trajtojnë rastin në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Mbrojtja do t’i paraqesë të gjitha argumentet dhe provat përmes mekanizmave ligjorë, duke respektuar njëkohësisht privatësinë e fëmijëve të mitur dhe integritetin e procedurës
Ekipi i avokatëve i Dr. Gëzim Berishës
Prishtinë, nëntor 2026














