Skandalet me cilësinë e mishit në Kosovë nuk kanë të ndalur, duke u shndërruar në një çështje shqetësuese për shëndetin e qytetarëve të vendit tonë. Por fatkeqësisht kjo po ndodh edhe nga ta të cilët promovojnë produkte “hallall”. Rast konkret është kompania “Meka Halal Food” në pronësi të Burim Pirajt. Veriu.info ekskluzivisht kishte raportuar vitin e kaluar se kompanisë Meka i ishin kthyer për në Rumani nga autoritetet e Kosovës mbi 20 tonë mish pule që doli se ishte i kontaminuar me bakerin salmonella (https://veriu.info/skandal-kompanise-meka-qe-promovon-produkte-hallall-i-zbulohen-mbi-20-tone-mish-pule-me-bakterin-e-rrezikshem-salmonella-video/). Por duket se pavarësisht këtij rasti kompania e Burim Pirajt nuk ka “mbledhur mend”, pasi edhe këtë vit asaj i janë gjetur mbi 21 tonë mish pule të kontaminuar me bakterin salmonellë. Për dallim nga rasti paraprak që MEKA ishte detyruar ta kthej mishin e kontaminuar me Salmonella në Rumani, këtë vit asaj i është lejuar që mishin e pulës MDM të kontaminuar me Salmonella ta përpunojë për shitje të produkteve, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Veriu.info në këtë hulumtim të gjatë do të sjellë të gjitha detajet e një procesi të gjatë disa mujor me përpjekje të vazhdueshme e të padorëzueshme nga ana jonë që të sigurojmë dokumentet përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, të cilat i kërkuam nga maji i këtij viti e arritëm që një pjesë të tyre t’i sigurojmë tek në tetor me vendim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pasi Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë nuk na i ofronte këto dokumente. E duket se krejt në fund u kuptua kjo rezistencë kaq e madhe nga AUV duke mos na lejuar qasje në këto dokumente. Arsyeja prapa kësaj qendronte një skandal i përmasave të mëdha, që përfshinte brenda tij zyrtarët më të lartë të AUV-it dhe vet kompaninë Meka. Madje raportin përfundimtar të dy inspekorëve që i jep përmasa kolosale skandalit e kemi siguruar nga burimet tona, pasi AUV nuk na dha qasje në të siç e obligon Ligji për Qasjë në dokumente publike.
Mbi 21 tonë mish me Salmonella: nga refuzimi i importit te lejimi i përpunimit
Por si u zbulua skandali? Bazuar në dokumentet e siguruara nga Veriu.info kuptohet se kompania Meka kishte sjellur në Kosovë më 2 janar nga Polonia mbi 21 tonë mish pule, saktësisht 21,679 kg, e cila kishte arritur në pikën kufitare në Han të Elezit. Aty inspketori veterinar kufitar, Fitim Gashi, kishte marrë mostrat për analizë. Bëhej fjalë saktësisht për mishin e pulës MDM Pulë i ngrirë. Në procesverbalin e marrjes së analizave të datës 4 janar, specifikohet se afati i skadimit të këtij mishi është data 4 mars 2026. Sipas këtij raporti për analizë janë marrë 2 kg mish pule.

Rezultati i analizave zbuloi se kjo sasi e mishit ishte e kontaminuar me bakterin salmonellë, i cili është shumë i rrezikshëm për shëndetin e atyre që e konsumojnë. Bazuar në këtë analizë, inspektori Fitim Gashi ka nxjerrë vendim për refuzim të importit të kësaj sasie mishi në Kosovë dhe kthimin në vendin e origjinës më datë 14 janar 2026. Sipas vendimit të siguruar nga gazeta në pikën 1 thuhet: “Refuzohet importi i mallit – dërgesës: Ngarkesa me nr.PIKV85669/2026 (Mdm pule e ngrirë me origjinë nga shteti i Polonisë)”, kurse në pikën 2 thuhet: “Agjenti doganor dhe Dogana e Kosovës janë përgjegjës për zbatimin e procedurave të kthimit të produktit në vendin e origjinës”. Në arsyetim të vendimit të inspektorit Gashi thuhet se raporti i testimit ka rezultuar pozitiv në salmonellë dhe si i tillë konsiderohet si ushqim i pasigurt për konsumim.

Më 16 janar Meka Halala Food kishte kërkuar nga AUV rimarrje të mostrës së mishit për superanalizë. Madje në këtë kërkesë të nënshkruar nga Burim Piraj ndër të tjera thuhej: “Nëse superanaliza konstaton se malli në fjalë është pozitiv me salmonellë atëherë ne pas asnjë hezitim do të vazhdojmë procedurën e kthimit të mallit në origjinë (v.j. Poloni) pasi që ne si kompani në asnjë mënyrë nuk pranojmë që të përpunojmë një lëndë të parë që nuk është konform ligjit dhe rregullave të sigurisë së ushqimit”.

Por kur raporti i testimit përkatësisht superanalizës doli pozitiv sërish më 16 shkurt, Meka e Burim Pirajt “I han fjalët”. Pra, nuk I përmbahet zotimit së nëse superanaliza del pozitive në salmonellë mishin do ta kthejë në vendin e origjinës, pra në Poloni.

Pra, pronari i Meka Halal Food, Burim Piraj, nuk i përmbahet zotimit të tij të kërkesës për kthim të mallit në vendin e origjinës nëse del pozitiv në salmonellë, pasi më 3 mars 2026 bën kërkesë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për t’i mundësuar trajtim termik të mishit dhe faktikisht pas këtij procesi përdorimin e tij për treg. Në këtë kërkesë të siguruar nga Veriu.info, Piraj kërkon që kërkesa e tij të shqyrtohet pasi afati i përdorimit të mallit është shumë i kufizuar. Në fakt afati i përdorimit nuk ishte veç i kufizuar, por ishte shumë i kufizuar. Kjo pasi që në procesverbalin e inspektorit Fitim Gashi për marrjen e mostrave të mishit më 2 janar 2026 (ora 13:20), thuhet se afati i skadimit të mishit është data 4 mars 2026, që i bie se MEKA kishte kërkuar lejimin e trajtimit temik të mishit të pulës me Salmonella vetëm një ditë para skadimit të afatit të tij.


Kërkesa e MEKA Sh.P.K. ‘aktivizon’ AUV-in i cili ka nxjerrë një vendim i cili mban datën 6 mars, kurse është protokolluar më 10 mars, ku Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave në përbërje të 3 anëtarëve, në mesin e tyre edhe Shkëlzen Morina, që kishte bërë presion te inspektori për ndryshim të vendimit për refuzim, nxjerrë një vendim skandaloz dhe kundërthënës. Në pikën 2 të vendimit thuhet se vendimi i inspektorit për refuzim të importit mbetet në fuqi. Kurse në pikën 3 thotë se Mekës i lejohet ta trajtojë termikisht mishin me qëllim të eliminimit të salmonellës.
Por ky vendim është nxjerrë pas skadimit të afatit të mishit që ishte 4 mars, Pra, Komisioni i Ankesave i AUV-it lejon trajtimin dhe hyrjen në prodhim të këtij mishi pule MDM pa afat përdorimi.

Presion ndaj inspektorit për lejimin e mishit me Salmonella në përpunim
Por le të kthehemi tek presioni që i ishte bërë inspektorit Fitim Gashi për shfuqizimin e vendimit me të cilin ai kishte ndaluar importin e kësaj sasie të mishit të kompanisë MEKA që kishte rezultuar nga analizat laboratorike si i kontaminuar me bakterin Salmonella.
Fillimisht kjo skemë presioni kishte nisur me një autorizim që Drejtori Ekzekutiv i AUV-it, Bekim Hoxha, i ka dhënë drejtorit të Administratës së AUV-it, Shkëlzen Morina, për zëvendësim për periudhën 14 janar deri më 16 janar 2026 që t’i ushtrojë të gjitha kompetencat e drejtorit ekzekutiv, periudhë kjo që përkon me vendimin e inspektorit për refizim importi dhe kërkesën e MEKA për rimarrje të mostrave për superanalizë.



Veriu.info ka siguruar një e-mail që mbanë datën 28 janar të Drejtoreshës së Inspektoratit të AUV-it, Ilirjana Zymberaj, e cila kërkon nga Udhëheqësi i Sektorit të Inspektoratit Veterinar, Arsim Arfifi, që të shqyrtohet kërkesa e MEKA për rimarrje të mostrate për superanalizë dhe të veprohet sipas urdhërit të Shkëlzen Morinës, i cili dy javë më parë kushe ushtruar kompetencat e Drejtorit Ekzekutiv dhe ishte marrë me rastin, pasi që si Drejtor i Administratës që është me punë të rregullt nuk ka kompetenca në këto raste.

Pra, është fjala për Shkëlzen Morinën, i cili më vonë në këtë rast si anëtar i Komisionit të Ankesave kishte vendosur për t’i mundësuar kompanisë MEKA trajtimin termik të mishit të pulës MDM pa afat. Pra, përveç konfliktit të interest që Shkëlzen Morina kishte, duke vendosur e duke dhënë urdhëra për të njëjtin rast nga dy pozicione, herë si U.D. i Drejtorit Ekzekutiv e pastaj si anëtar komisioni, kjo del të jetë një skemë e mirëorganizuar favorizuese për MEKA Sh.P.K. e në presion e sulm ndaj inspektorit që e ka zbuluar rastin.
I gjendur përballë presionit për anulim të vendimit për refuzim importi të mishit të pulës MDM që kishte dalë pozitiv në Salmonella, inspektori i rastit Fitim Gashi u shkruan email Arsim Arifit – udhëheqësit të Sektorit të Inspektoratit Veterinar, Ardian Deshishkut – shef i zyrës ligjore dhe Bledar Berishës – zyrtar ligjor në AUV, në të cilin thotë se në mungesë të ndryshimit të fakteve apo të një baze të re ligjore, nuk e konsideron të arsyeshëm shfuqizimin e vendimit.
Në këtë e-mail të siguruar nga Veriu.info, inspektori veterinar kufitar, Fitim Gashi thekson se kompania MEKA nuk e ka pranuar vendimin e tij dhe ka urdhëruar shpediterin që të mos e nënshkruaj pranimin e vendimit. Pra, realisht MEKA nuk i ka njohur vendimet e autoriteteve shtetërore.
E-mailit të inspektorit Fitim Gashi i përgjigjet zyrtari ligjor Bledar Berisha, i cili në përgjigje thotë: “Bazuar në Ligjin e Veterinarisë, inspektori veterinar është vendimmarrës në punën e tij. Për hapat tutje konsultohuni me sektorin tuaj!”

Por këtij presioni për shfuqizim vendimi i përgjigjet udhëheqësi i Sektorit të Inspektoratit Veterinar, Arsim Arifi, i cili në një email të datës 3 mars dërguar drejtoreshës Ilirjana Zymberaj thotë se ka kërkuar që vendimi të shfuqizohet nga inspektori veterinar, por kjo duhet të bëhet duke nxjerrë një akt tjetër administrativ ku do të lejonte sipas rekomandimit të Departamentit të Shëndetit Publik që sasia e mishit të futet në përpunim.
“Anulimi – shfuqizimi i një vendim si akt administrativ i dorëzuar në autoritetin doganor të Kosovës duhet të bazohet në ligjshmëri dhe jo sipas dëshirave apo kërkesave të personave jo kompetent.” – thuhet në këtë përgjigje të z.Arifi për drejtoreshën Zymberaj.
Arifi i kërkon nivelit të lartë menaxherial të mos bëj presion që MDM pule pozitive të futet në përpunim pa nxjerrjen e një akti tjetër administrativ, pasi thekson se edhe ata si implementues dhe drejtoresha si drejtuese mund të akuzohen për shpërfillje të vendimit të inspektorit, i cili sipas tij është i pavarur në vendimmarrje dhe çdo presion konsiderohet vepër penale.

Çfarë ndodhi përfundimisht me 21.679 kilogramët e mishit e pulës MDM të kontaminuar me Salmonella?
Veriu.info në tetor ka kërkuar qasje në dokumentet publike të AUV-it që dëshmojnë se çfarë ka ndodhur me mishin e pulës të kontaminuar me salmonellë, por kjo qasje nuk na është ofruar.

Megjithatë, nga burimet tona kemi arritur ta sigurojmë një raport të detajuar të hartuar nga inspektorët e AUV-it, Eroll Halqe dhe Selami Beluli që i kanë dërguar Drejtoreshës së Drejtorisë së Inspektoratit, Ilirjana Zymberaj, më 25 mars 2026, ku në CC janë edhe i gjithë menaxhmenti i AUV-it.

Vetëm 6 nga 22 paleta i përkisnin mishit të ndaluar për Salmonella, fati i 16 të tjerave i panjohur
Këtu skandali bëhet edhe më i madh. Pas vendimit të Komisionit të Ankesave të datës 10 mars, më 13 mars, nëntë ditë pasi që mishit, sipas procesverbalit të inspektorit dhe etiketës së mallit, i kishte skaduar afati, inspektorët e AUV-it kishin vizituar kompaninë Meka, duke konstatuar se në depo ruheshin 21 mijë e 679 kg mish pule në 22 paleta, numër ky i paletave që bie ndesh me një dokument që vet Piraj ka bashkangjitur në kërkesën e tij për AUV-in për trajtim termik të mishit. Në atë dokument që vet Piraj ka bashkangjitur në kërkesë thuhet se kjo ngarkesë e mishit ka 23 paleta mish pule MDM. Veriu.info ka siguruar edhe certifikatën për kontrollin veterinar të kafshëve dhe prodhimeve të tyre të lëshuar nga AUV, ku thuhet se mishi i pulës MDM gjendet i paketuar në 23 paleta.



Pas 3 ditësh, më 16 mars filloi procesi i trajtimit termik të mishit, process që zgjati për 3 ditë. Sipas planit operativ çdo ditë do të trajtoheshin termikisht nga 7 tonë mish.
Vëmendje! Kulmi i skandalit është pikërisht këtu. Sipas këtij raporti të siguruar nga Veriu.info, Komisioni i Mbikqyrjes së përpunimit të mishit tregon se në përpunim termik hynë 6 paleta mish pule me numër të njëjtë të lotit sipas DUD-it doganor të mishit që ishte ndaluar për import, kurse 16 paleta tjera që u trajtuarn termikisht nuk kishin numër të njëjtë me mishin që ishte ndaluar nga inspektori sanitar në janar.
Për ta sqaruar në detaje: Mishi i ndaluar i Mekës kishte këto batch numbers (Ky numër është një kod identifikues që prodhuesi ia vendos produktit), 04.12.2025/ZP/2025/12/079, 06.12.2025/ZP/2025/12/133 dhe 17.12.2025/ZP/2025/12/300. Pra, këta janë numrat identifikues për paletat e mishit të ndaluar në kufi nga inspektori veterinar kufitar. Nga kjo sasi e mishit me 3 numra identifikues, sipas raportit përfundimtar të AUV-it në trajtim termik hyri vetëm mishi me batch number 17.12.2025/ZP/2025/12/300, kurse mishi me batch numbers 04.12.2025/ZP/2025/12/079 dhe 06.12.2025/ZP/2025/12/133 nuk hyri në trajtim termik dhe rrjedhimisht nuk dihet çfarë ka ndodhur me të.
Ta detajizojmë më tutje. Sipas raportit përfundimtar të AUV-it më 16 mars 2026 janë përpunuar termikisht 7 paleta të MDM pule (6641 kg), një paletë me lot ZP/2025/12/300 që është e mishit të ndaluar, pra me numër të njëjtë identifikues, si dhe 6 paleta me lot ZP/2025/12/301 që nuk janë fare të mishit të ndaluar. Kjo pasi nuk kanë numër të njëjtë të lotit.
Më datë 17 mars janë përpunuar 8 paleta, nga të cilat 5 i takojnë mishit të ndaluar për salmonellë, kurse 3 paleta mish tjetër pasi sërish numri i tij nuk përputhet me numrin identifikues të mishit të ndaluar. Kurse më datë 18 mars përpunohen termikisht 7 paleta tjera numri identifikues i të cilave nuk përputhet me numrat e mishit të ndaluar, pra realisht është mish tjetër. Pra, nga 22 paleta që hyn në trajtim termik, vetëm 6 ishin të mishit të ndaluar për salmonellë kurse 16 të tjera kishin numra tjerë identifikues, pra nuk i takonin mishit të ndaluar.



Se nuk bëhet fjalë për mishin e njëjtë që ishte ndaluar për import dhe atij që hyri në përpunim, dëshmohet edhe në një deklarim me shkrim në këtë raport nga vet inspektorët që mbikqyrën procesin e përpunimit termik. Ata në raport theksojnë se në lidhje me sasinë e mishit të lotit me datë skadencë 18.03.2026 dhe dyshimeve se si është importuar nuk kanë asnjë të dhënë të dokumentuar. Pra bëhet fjalë për 16 paleta me numër të lotit ZP/2025/12/301 të cilat hynë në përpunim termik, por që numri i lotit nuk përputhet me numrin e lotit të mishit të ndaluar.

Por ajo që është shumë e rëndësishme të dihet është se ku mbetën 16 paletat me mish pule që u kishte skaduar afati? Asgjë nuk dihet për fatin e tyre, pra s’ka vendim as për kthimin e tij në origjinë, e as për asgjësimin e tij! Rreziku është që ai mish tashmë të jetë konsumuar nga qytetarët ashtu i kontaminuar me salmonellë. Kurse 16 paleta që u futën në përpunim termik nuk dihet as kur e as si u importuan siç e dëshmon vet raporti i inspektorëve ku thonë se nuk kanë asnjë dokument që dëshmon importin e tij. Skandaloze, kur vet inspektorët raportojnë se nuk kanë asnjë dokument për 16 paleta mish pule që u përpunua termikisht dhe ka dalë në treg. Pra, kjo është skema skandaloze e AUV-it dhe Mekës në kurriz të shëndetit të qytetarëve të Kosovës.
Veriu.info ka tentuar të marrë përgjigje për këtë çështje nga kompania MEKA Sh.P.K. dhe AUV-ja, por asnjëra nga palët nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara përmes e-mailit.
Çka është Salmonella dhe rreziqet?
Salmonella është një bakter patogjen që mund të shkaktojë helmim ushqimor te njerëzit, sëmundje kjo e njohur si salmonelozë. Konsumimi i ushqimit të kontaminuar me këtë bakter mund të shkaktojë diarre, temperaturë, dhimbje të barkut dhe të vjella, ndërsa në raste më të rënda infeksioni mund të përhapet në qarkullimin e gjakut dhe të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore. Rreziku është veçanërisht i madh për fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar.

Në dokumentacionin e siguruar nga Veriu.info nuk specifikohet serotipi i bakterit të identifikuar në mishin e papërpunuar dhe as ngarkesa bakteriale e tij, përkatësisht numri i baktereve për gram produkt./Veriu.info – Musa Preteni

LEXONI:














