Dokumentet e e-Prokurimit zbulojnë se biznesi i Ideal Shalës i ‘Kia Kosova’, bashkëshortit të motrës së Artan Fejzës, ka lidhur nëntë kontrata me Policinë e Kosovës. Kontratat përfshijnë furnizimin me goma, pjesë rezervë për automjete të Policisë, pjesë për Toyota blind dhe bateri për automjetet e blinduara. Ato janë nënshkruar nga dhjetori i vitit 2022 deri në korrik të vitit 2025. Kjo histori vjen pas tenderit prej 1.2 milion eurosh për autobusë, ku biznesi i Shalës ishte shpallur fitues, por kontrata nuk ishte nënshkruar asnjëherë. Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar suspendimin e Fejzës nga pozita e drejtorit të Prokurimit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konflikt interesi.
Nëntë kontrata dhe një institucion i vetëm: Policia e Kosovës.
Këto janë të dhënat që dalin nga ekstrakti i platformës së e-Prokurimit për biznesin e Ideal Shalës, bashkëshortit të motrës së Artan Fejzës, drejtorit të Prokurimit në Policinë e Kosovës, për të cilin Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin nga detyra.
Të dhënat e siguruara nga Insajderi tregojnë se biznesi i Shalës, Ideal Shala B.I., ka lidhur nëntë kontrata me Policinë e Kosovës, me vlerë të përgjithshme prej 81,548.72 eurosh.
Nëntë regjistrimet kontraktuale i përkasin gjashtë aktiviteteve të ndryshme të prokurimit dhe shtrihen në një periudhë prej gati tri vjetësh, nga dhjetori i vitit 2022 deri në korrik të vitit 2025.
Kontratat përfshijnë furnizime me goma, pjesë rezervë për automjete të Policisë, pjesë për automjetin Toyota blind dhe bateri për automjetet e blinduara.
Nga nëntë regjistrimet, gjashtë figurojnë në sistem me statusin “Në realizim”, ndërsa tri të tjera me statusin “Përfunduar”.
Kontrata më e madhe e lidhur ndërmjet Policisë së Kosovës dhe biznesit të Ideal Shalës është ajo për furnizim me goma.
Më 9 dhjetor 2022, Ideal Shala B.I. kishte nënshkruar kontratë kornizë në vlerë prej 55,400 eurosh.
Kjo kontratë figuron në e-Prokurim me numrin 214-22-13341-1-2-5/C346 dhe statusin “Në realizim”.
Një tjetër kontratë për goma, kësaj radhe për furnizim dhe montim, është nënshkruar më 15 shkurt 2024. Vlera e saj është 15,160 euro.
Ajo mban numrin 214-23-14234-1-2-5/C538 dhe në sistem figuron gjithashtu si kontratë në realizim.
Vetëm këto dy kontrata për furnizim me goma kanë vlerën e përgjithshme prej 70,560 eurosh.
Në listën e kontratave figurojnë edhe tri regjistrime për furnizim dhe montim të pjesëve rezervë për automjetet e Policisë.
Të tria janë nënshkruar më 6 tetor 2023 dhe i përkasin të njëjtit aktivitet të prokurimit.
Kontrata e parë, me numër 214-23-9338-1-3-6/C485, ka vlerë prej 220 eurosh.
E dyta, C486, është në vlerë prej 650 eurosh, ndërsa e treta, C487, kap shumën prej 638.63 eurosh.
Përshkrimi i furnizimeve përfshin pjesë rezervë për automjete të ndryshme, ndër to BMW 730L, Opel Astra 1.7, Toyota LC 150, Touran, Hyundai dhe Opel Movano.
Të tria kontratat figurojnë në e-Prokurim me statusin “Përfunduar”.
Ndërkaq, më 8 shkurt 2023, biznesi i Shalës kishte lidhur edhe një kontratë tjetër me Policinë, në vlerë prej 5,886 eurosh, për furnizim me pjesë për automjetin Toyota blind.
Kjo kontratë, me numër 214-22-14231-1-3-6/C372, figuron me statusin “Në realizim”.
Bateritë për automjetet e blinduara
Një tjetër kontratë e evidentuar në ekstraktin e e-Prokurimit është ajo për furnizim me bateri për automjetet e blinduara të Policisë.
Kontrata, në vlerë prej 998 eurosh, është nënshkruar më 4 tetor 2023.
Ajo mban numrin 214-23-10649-1-4-7/C489 dhe operator ekonomik figuron sërish Ideal Shala B.I.
Një detaj që kërkon sqarim është statusi i kësaj kontrate. Përkundër faktit se është nënshkruar në vitin 2023, në sistem vazhdon të figurojë si “Në realizim”.
Në kolonat për datën e fillimit dhe datën e përmbushjes nuk ka të dhëna të regjistruara. Po ashtu, nuk shfaqet vlera e faturuar.
Për këtë aktivitet ekziston edhe njoftimi zyrtar për nënshkrimin e kontratës në platformën e e-Prokurimit.
Dy kontrata të tjera në vitin 2025
Marrëdhënia kontraktuale ndërmjet biznesit të Shalës dhe Policisë së Kosovës vazhdon të figurojë edhe në vitin 2025.
Më 15 korrik të atij viti janë nënshkruar dy regjistrime kontraktuale për furnizim me pjesë të automjeteve Toyota, Opel Vivaro, Mercedes-Benz Sprinter dhe Ford Transit.
Njëra kontratë ka vlerë prej 905.78 eurosh, ndërsa tjetra 1,690.31 eurosh.
Të dyja figurojnë si kontrata kornizë dhe në sistem kanë statusin “Në realizim”.
Me këto dy kontrata, lista arrin në nëntë regjistrime kontraktuale, me vlerë të përgjithshme prej 81,548.72 eurosh.
Tenderi milionësh që e vuri në qendër të vëmendjes lidhjen familjare
Këto kontrata marrin rëndësi në kontekstin e raportimit të mëhershëm të Insajderit për tenderin e autobusëve, me vlerë të parashikuar prej 1.2 milion eurosh.
Më 11 dhjetor 2023, Insajderi kishte zbuluar se Policia e Kosovës kishte shpallur fitues të tenderit për furnizimin me pesë autobusë biznesin e Ideal Shalës, bashkëshortit të motrës së Artan Fejzës.
Fejza, në atë kohë udhëheqës i Departamentit të Prokurimit në Polici, kishte qenë i përfshirë në dokumentacionin e procedurës.
Biznesi i Shalës ishte shpallur ofertuesi i vetëm i suksesshëm, me ofertë prej 1,188,850 eurosh, pasi tri kompani të tjera ishin eliminuar nga gara.
Njëra prej kompanive të eliminuara kishte ofertuar me çmim më të ulët.
Në përgjigjen e dhënë për Insajderin në atë kohë, Policia kishte deklaruar se Fejza kishte kërkuar të lirohej nga procesi dhe vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit.
Sipas Policisë, një zyrtar tjetër ishte caktuar për të udhëhequr vendimmarrjen në atë aktivitet të prokurimit.
Megjithatë, emri i Fejzës kishte figuruar në dokumentin e 22 nëntorit 2023, me të cilin biznesi i Ideal Shalës ishte shpallur ofertuesi i suksesshëm.
Kontrata e autobusëve nuk u nënshkrua asnjëherë. Procedura përfundoi me anulim më 26 nëntor 2025.
Për këtë arsye, vlera prej 1,188,850 eurosh nuk përfshihet në shumën prej 81,548.72 eurosh të nëntë kontratave të nënshkruara.
IPK-ja kërkoi suspendimin e Fejzës
Më 5 nëntor 2026, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se i kishte rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë suspendimin e drejtorit të Prokurimit nga detyra.
Sipas IPK-së, ndaj tij janë duke u zhvilluar hetime paraprake nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në procedurat e prokurimit publik.
IPK-ja bëri të ditur se në fokus të hetimeve janë dhjetëra kontrata të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.
Hetuesit janë duke shqyrtuar mënyrën e zhvillimit të këtyre procedurave, vendimmarrjen dhe respektimin e kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës.
Hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
IPK-ja ka bërë të ditur se rekomandimi për suspendim është bërë me qëllim të garantimit të integritetit dhe mbarëvajtjes së procesit hetimor.
Megjithatë, institucioni nuk ka specifikuar se cilat kontrata janë pjesë e hetimit dhe nëse në mesin e tyre janë edhe nëntë kontratat e evidentuara nga Insajderi në e-Prokurim.
Insajderi do t’u drejtohet Policisë së Kosovës dhe Artan Fejzës për të sqaruar nëse ky i fundit ka pasur rol në inicimin, vlerësimin, vendimmarrjen apo nënshkrimin e këtyre kontratave, si dhe nëse ka deklaruar konfliktin e interesit në raport me biznesin e familjarit të tij.
Nga Policia do të kërkohet edhe sqarim për realizimin dhe pagesat e nëntë kontratave, veçanërisht për atë të baterive të automjeteve të blinduara, e cila vazhdon të figurojë në sistem me statusin “Në realizim”.
Përderisa hetimet ndaj Fejzës janë në fazën paraprake, nëntë regjistrimet kontraktuale dhe vlera e tyre paraqesin një tjetër dimension të marrëdhënies afariste ndërmjet biznesit të familjarit të tij dhe institucionit ku ai ushtronte funksionin e drejtorit të Prokurimit.















