“Familjarët janë për dasma”, ishte parulla zgjedhore e para disa vitesh e Albin Kurtit, duke iu kundërpërgjigjur problemeve të punësimeve nepotiste në institucionet e Kosovës. Por ja që duket, se veprimet e e sotme të kësaj garniture të pushtetit janë e kundërta, më saktësisht janë veprime të ngjashme me pushtetet qeveritare të prej pasluftës. Kjo pasi që djali i axhës së ministrit Armend Muja është emëruar U.D. i drejtorit të Spitalit të Mitrovicës.
Fjala është për Leonard Muja, specialist i pulmologjisë, i cili është caktuar ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Vendimi është marrë nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), i cili i raporton Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Arben Vitia i VV-së.
Muja do ta ushtrojë detyrën e drejtorit deri në një vendim të ri për udhëheqjen e këtij institucioni shëndetësor.
Pra, ajo që e bën emërimin e Leonard Mujës edhe më interesant është lidhja e tij familjare me ministrin Armend Muja.
Leonard Muja është djali i axhës së Armend Mujës, lidhje të cilën vetë doktori e kishte konfirmuar publikisht në vitin 2022, kur kishte kandiduar për drejtor të Spitalit të Mitrovicës.
Në atë kohë, Muja ishte njëri nga pesë kandidatët për pozitën e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës.
Emërimi i tij në pozitën e ushtruesit të detyrës vjen pas pezullimit të Gëzim Berishës nga pozita e drejtorit dhe nga marrëdhënia e punës.












