Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka vizituar familjen e kirurgut dhe intelektualit Adem Ademi, për të ndarë me ta dhimbjen, respektin dhe nderimin për jetën dhe veprën e tij.
Ai tha se pas 27 vitesh ankthi dhe pritjeje, familja dhe Mitrovica tashmë e dinë fatin tragjik të njërit nga doajenët e kirurgjisë.
“Katër motra e katër vëllezër më pritën ngrohtësisht në familje Ademi, i 9-ti Ferkiu me përshëndeti nga Gjermania, edhe pse atyre, si vala e detit, u është rikthyer dhimbja. Por ka diçka që e mposht fort dhimbjen, e ajo është krenaria dhe kujtimet që i kanë për doktorin, për ndihmën ndaj familjes, për shërbimin ndaj Kosovës, për veprat e tij profesionale e patriotike”, është shprehur kryetari Peci.
Gjithashtu kryetari Faton Peci potencoi se ai la pas vetes trashëgimi të shumëfishta, mes tre fëmijëve, pasardhës të çmuar ka edhe djalin Erblinin, të edukuar, e i cili ka trashëguar edhe profesionin e kirurgut.
Mitrovica, më 28 nëntor, do t’i japë lamtumirën e fundit doktorit e kirurgut Adem Ademi.














