Deputeti i PDK-së që tash e një kohë ka folur për mundësinë e një bashkëqeverisje mes partisë së tij dhe Albin Kurtit, Rrustem Mustafa, ka dhënë detaje ekskluzive nga prapaskenat e kësaj çështje.
Ai ka thënë se ka zhvilluar takime me përfaqësues të të dy subjekteve politike dhe se Kurti kishte qenë i gatshëm ta dëgjonte propozimin dhe të diskutonte mundësinë e bashkëpunimit.
“E kam filluar idenë dhe kemi gjetur përkrahje nga akterë të rëndësishëm politikë nga të dyja partitë, PDK dhe VV. Nga akterët kryesorë, edhe nga z. Kurti. Ai ka gjetur kohë me dëgju dhe nuk është që nuk ka qenë i interesuar për mundësi”, ka deklaruar Mustafa në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Mustafa ka thënë se pas vendimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mundësitë e bashkëpunimit ishin kufizuar në çështje të caktuara.
Sipas Mustafës, diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje kishin përfshirë edhe mundësinë e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, si dhe hartimin e një strategjie shtetërore në mbështetje të interesave të UÇK-së, pas vendimit të rëndë ndaj ish-krerëve të saj.














