Komandanti i KFOR’it, Roberto Vergori, sot në Beograd është takuar me shefin e ushtrisë të Serbisë, Milan Mojsiloviq.
Në njoftimin e KFOR’it, shtohet se gjatë takimit është theksuar rëndësia e dialogut të vazhdueshëm, koordinimit efektiv dhe mirëkuptimit të përbashkët.
Postimi i plotë:
Sot, në Beograd, komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsilović.
Gjatë takimit, ata theksuan rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm, koordinimit efektiv dhe mirëkuptimit të përbashkët.
KFOR-i vazhdon angazhimin konstruktiv me të gjithë akterët relevantë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke kultivuar marrëdhënie të bazuara në paanshmëri, profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, si dhe duke siguruar komunikim transparent dhe në kohë.
KFOR-i mbetet plotësisht i aftë dhe i përkushtuar për përmbushjen e mandatit të tij të vazhdueshëm, në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1999.
Ndryshe, kjo është vizita e dytë e Vergorit në Serbi brenda një muaj. Në tetor ai kishte zhvilluar edhe një vizitë tjetër atje, ku ishte takuar me Mojsiloviq.
‘’Gjatë takimit u zhvillua një dialog konstruktiv, i fokusuar në ruajtjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit profesional dhe respektit të ndërsjellë, të cilat mundësojnë komunikim transparent dhe në kohë, si dhe koordinim efektiv me Forcat e Armatosura të Serbisë. KFOR-i ruan gatishmërinë, vazhdon angazhimin aktiv me të gjitha komunitetet dhe përmbush misionin e tij me profesionalizëm, paanshmëri dhe përkushtim për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë’’, thuhej në postimin KFOR’it.














