Të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës e ka shpallur Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-Kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj.
Gjykata Speciale shpalli të martën aktgjykimin në rastin “12”, ku Kilaj akuzohet për pengim të drejtësisë.
Bashkë me Kilajn, në këtë rast janë akuzuar edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Ata akuzoheshin nga Specialja se veprat penale të pengim të drejtësisë janë kryer gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.
Isni Kilaj u arrestua fillimisht si i dyshuar më 2 nëntor 2023 dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024. Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në Njësinë e Paraburgimit në Hagë.
Hashim Thaçi u njoftua me fletarrestim në objektet e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi u la të mbrohet në liri. Të pesë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për herë të dytë më 10 dhjetor 2025, ndërsa Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026.













