Edon Zhegrova mund të rikthehet shumë shpejt në fushën e gjelbër, pavarësisht shqetësimeve për lëndimin që e detyroi të largohej nga grumbullimi i Kosovës.
Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se sulmuesi kosovar është larguar nga grumbullimi për shkak të një lëndimi dhe rrjedhimisht nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Irlandës.
Megjithatë, Gazzetta dello Sport ka dhënë sinjale pozitive lidhur me gjendjen e futbollistit të Juventusit, duke raportuar se situata nuk është shqetësuese.
Sipas mediave italiane, Zhegrova pritet të rikthehet në stërvitje që nesër, fillimisht duke punuar i ndarë nga pjesa tjetër e grupit, përpara se t’u bashkohet plotësisht bashkëlojtarëve.
Ai do t’i nënshtrohet edhe ekzaminimeve mjekësore, por në Itali nuk e konsiderojnë lëndimin si diçka shqetësuese.
Madje, nuk përjashtohet as mundësia e një rikuperimi të shpejtë, në mënyrë që Zhegrova të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës të Juventusit kundër skuadrës së Venezias.












