Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), e mërkura do të karakterizohet me mot të butë, me temperatura që nga 9 gradë Celsius në mëngjes pritet të rriten deri në 16 gradë gjatë ditës. Krahas vranësirave, parashihen edhe reshje të lehta shiu.
Ndryshim më i theksuar i motit pritet të enjten, e cila sipas IHMK-së do të jetë dita më e paqëndrueshme e javës. Temperaturat do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, por vëmendja kryesore do të jetë te era e fortë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë. Gjatë ditës priten edhe reshje të lehta me ndërprerje, ndërsa në fund të saj kalimi i një fronti atmosferik do të ndryshojë drejtimin e erës.
Për shkak të erërave të forta, IHMK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për sigurimin e objekteve të lehta në ambientet e jashtme, tabelave reklamuese dhe skelave të ndërtimit. Kujdes i shtuar u rekomandohet edhe vozitësve, veçanërisht gjatë qarkullimit në rrugë të hapura.
Të premten pritet përmirësim i motit, me më shumë kthjellime dhe më pak reshje. Temperaturat do të arrijnë deri në 17 gradë Celsius, ndërsa nga e shtuna parashihet rënie e ndjeshme e tyre, me vlera maksimale nga 9 deri në 11 gradë. Fundjava pritet të jetë kryesisht e thatë, me mundësi për reshje të lehta në fund të ditës.














