Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit dhe ka lëshuar urdhërarrest për Milan Radoiçiqin, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023. Sipas mediumit hulumtues serb BIRN, vendimi erdhi pasi Radoiçiqi nuk iu përgjigj detyrimit për t’u paraqitur në stacionin policor të Savski Venacit më 15 nëntor.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe ishte i obliguar të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datat 1 dhe 15, si dëshmi se vazhdonte të qëndronte në vendbanimin e deklaruar. Deri më tani e kishte respektuar këtë detyrim, ndërsa paraqitja e fundit e tij ishte më 1 nëntor. Atij paraprakisht i ishte ndaluar largimi nga vendbanimi pa lejen e gjykatës dhe i ishte konfiskuar pasaporta.
Ndërkohë, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Milan Zvezdanoviq, kishte deklaruar më 13 nëntor në televizionin N1 se, sipas informacioneve jozyrtare nga BIA, Radoiçiqi ishte larguar nga Serbia një ditë më parë dhe kishte shkuar në Moskë.
Radoiçiqi është i dyshuar për disa vepra penale që lidhen me sulmin në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur disa ditë pas sulmit. Pavarësisht hetimeve që nga viti 2023, Prokuroria e Lartë në Beograd ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij, ndërsa në Kosovë Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, me Radoiçiqin në krye të listës së të akuzuarve.













