Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se ishte i shokuar nga kërkesa për rikthimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvendin e Kosovës.
Limaj, në emisionin Politiko, kujtoi protestat dhe përplasjet që kishin ndodhur para miratimit të ligjit, duke vlerësuar se kërkesa për rikthimin e tij ishte befasuese pas gjithë asaj që kishte ndodhur.
“Kam qenë i shokuar atë natë, pas gjithë asaj çka kishte ndodhur në Kosovë, me protesta, ku shkuan deri në përplasje, dhe në fund erdhi si erdhi, u votua ligji nga presidentja. Ai ligj nuk ka qenë i PDK-së, por i qytetarëve. Rikthimi dhe kërkesa për të ka qenë shokuese”, deklaroi Limaj.
Ai kritikoi edhe mënyrën se si ishte kërkuar rikthimi i ligjit, duke thënë se ndryshimet mund të kërkoheshin përmes formave të tjera dhe jo në atë mënyrë.
Ai theksoi se PDK-ja, të cilën e cilësoi si parti shtetformuese, duhet ta dijë se një ligji të kthyer nga presidentja në Kuvend nuk mund t’i shtohen amendamente.













