Moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të lehta shiu dhe ndërprerje të tyre. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa të premten era pritet të dobësohet gradualisht gjatë ditës.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, duke rekomanduar sigurimin e vazove, mobilieve të lehta dhe sendeve të tjera në ballkone, tarraca e oborre. Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar të shmangin qëndrimin pranë pemëve të mëdha, skelave dhe tabelave reklamuese gjatë erërave të forta.
Drejtoria ka apeluar edhe te operatorët e kantiereve dhe subjektet që administrojnë tabela reklamuese që të kontrollojnë fiksimin e skelave, rrethojave dhe tabelave. Ndërkaq, drejtuesit e automjeteve janë këshilluar të përshtatin shpejtësinë dhe të kenë kujdes në rrugët e ekspozuara ndaj erës. Për raportimin e rasteve emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën Operative Emergjente në numrat 0800 122 33 dhe 0800 122 44.
Për shkak të kushteve atmosferike, edhe Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve të marrin masa shtesë për sigurinë e punëtorëve, veçanërisht në ndërtimtari dhe në punët që zhvillohen në ambiente të hapura, në skela e kulme. Inspektorati ka kërkuar që të mos lejohen aktivitetet e punës kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për punëtorët.













