Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka vlerësuar se miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është në interes të Kosovës dhe as nuk i ndihmon ish-krerët e UÇK-së që janë dënuar në shkallën e parë në Hagë.
Në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, Spahiu ka thënë se procedimi i këtij ligji mund t’ua rëndojë edhe më shumë situatën ish-krerëve të UÇK-së dhe ta dëmtojë imazhin e Kosovës si shtet serioz.
Ai ka kritikuar edhe PDK-në, duke thënë se me këtë ligj nuk u ndihmon të akuzuarve në Hagë dhe njëkohësisht e dëmton veten. Sipas tij, e vetmja pasojë politike mund të jetë përfshirja e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes në përgjegjësi, nëse ligji miratohet dhe nënshkruhet.
“Me këtë ligj PDK nuk i ndihmon ata në Hagë, e rëndon vetveten, nuk i ndihmon Kosovës. E vetmja gjë çka munden me arrit nëse e shtyjnë këtë ligjin, është me “ngul” edhe Albin Kurtin dhe nëse bëhet e merr përgjegjësinë, e merr edhe presidentja kur e nënshkruan”, ka thënë ai.














