Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit në Banjskë, është shpallur kërcënim për sigurinë kombëtare nga Bosnje dhe Hercegovina, ku është ndaluar hyrja. Burime të sigurisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se vendimi është marrë më 13 nëntor, katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte paraburgimin dhe shpalljen e tij në kërkim, pasi nuk u paraqit në polici më 15 nëntor.
Ndalimi nënkupton se Radoiçiqit do t’i refuzohet hyrja ose do të ndalohet në pikën kufitare në rast se tenton të hyjë në Bosnje dhe Hercegovinë. Institucionet e këtij shteti nuk kanë dhënë hollësi për arsyet e vendimit. Ndërkohë, vendndodhja e tij mbetet e panjohur, ndërsa më herët atij i ishte konfiskuar pasaporta, i ishte ndaluar largimi nga vendbanimi pa leje dhe udhëtimi në Kosovë.
Zhdukja e Radoiçiqit ndodhi pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit në zgjedhjet e fundit në Serbi. Para shpalljes në kërkim, qarkulluan informacione të pakonfirmuara se ai ishte larguar drejt Rusisë, por këto pretendime nuk u konfirmuan nga institucionet serbe dhe Ambasada ruse në Beograd. Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë.
Në Serbi, ai po hetohet për vepra penale që lidhen me sigurimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, por ende nuk është ngritur aktakuzë. Ndërkaq, Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin, përfshirë Radoiçiqin, i cili po gjykohet në mungesë, si dhe ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar përmes UNMIK-ut. SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione ndaj tij për përfshirje të dyshuar në krim të organizuar dhe korrupsion. Vendimi i Bosnje dhe Hercegovinës erdhi pak ditë pasi nga ky shtet ishte larguar bashkëpunëtori i tij i biznesit, Zvonko Vesellinoviq, drejt Turqisë.














