Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se gjatë Qeverisë Kurti janë shtuar 150 mijë vende të reja të punës.
Murati tha se këtë deklarim e bazon në të dhënat e marra nga Administrata Tatimore e Kosovës.
“Nëse i shikoni statistikat kur e kemi marrë mandatin ka qenë 350 mijë të punësuar, shifër kjo nga ATK, aktualisht janë 450 mijë sosh, pra janë 150 mijë vende të shtuar sipas statistikave të ATK-së”- tha Murati.
Në fjalën e tij, ministri i Financave tha se Kosova ka pasur rritje ekonomike.
“Para jush është njëri prej projektligjeve më të rëndësishme, i cili vjen si rezultat i një pune të jashtëzakonshme të të gjitha organizatave buxhetore. Sa i përket këtij buxheti është rezultat i rritjes së vazhdueshme ekonomike, organike. Kur po krahasohemi me periudhat paraprake fillimisht po harrohet që ajo rritje ka ardhur nga tejshpenzimi ka pasur dhe deficit dhe ishin shfrytëzuar fondet e AKP-së dhe ishin shpenzuar qindra miliona euro nga dividenda e Telekomit të Kosovës. Përkundër sfidave që kemi pasur ka pasur rritje ekonomike, pritet të vazhdoj tutje. U tha që qytetarët nuk duhet mbështetur por t’u krijohen kushte për punësim. Ne i kemi bërë te dyja. Fokusi ynë ka qenë që mbështetja të jepet ndaj atyre që nuk marrin pjesë në tregun e punës. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë qeveri. Kjo është dëshmia që kemi pasur rritje ekonomike organike. Krahas shtimit të vendeve të punës kemi pasur dhe rritje të pagave. Kemi pasur dyfishim të çekut të pagave”- tha ai.
Murati tha se ka pasur sfida ekonomike për shkak të inflacionit.
“Sigurisht që ka pasur sfida. Meqenëse Kosova nuk e ka euron si valutë që e shtypë vet, kësisoj ne jemi të hapur apo të ekspozuar ndaj inflacionit që e ka Eurozona. Tash rishtazi e kemi prapë krizën energjetike që ndikon dhe në zinxhirin ushqimor. Çmimi i naftës nuk është rritur që Qeveria ka pasur qejf, por për shkak të tronditjes së botës”- tha ai.















